RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Pse Agron Gjekmarkaj kërkon krijimin e enklavave fetare në Shqipëri?

pse-agron-gjekmarkaj-kerkon-krijimin-e-enklavave-fetare-ne-shqiperi?

Projektet e vjetra të Beogradit për përçarje, riciklohen sot si kërkesa parlamentare

Përplasja e ashpër në Kuvend midis deputetit socialist Pirro Vengu dhe deputetit demokrat Agron Gjekmarkaj ka nxjerrë në dritë një nga skenarët më të rrezikshëm dhe të paprecedentë në politikën moderne shqiptare: tentativën për të futur kriterin fetar në reformën administrativo-territoriale.

Kërkesa e Gjekmarkajt për të “restauruar Mirditën e Madhe” dhe këmbëngulja e tij në komisionet parlamentare në emër të mbrojtjes së “zemrës së katolicizmit shqiptar”, nuk është thjesht një nostalgji romantike apo një lapsus krahinor.

Ajo përbën një thirrje të hapur për krijimin e enklavave fetare brenda një shteti që e ka sanksionuar me kushtetutë laicitetin dhe që krenohet botërisht me harmoninë e tij ndërfetare.

Në pamje të parë, Gjekmarkaj përpiqet ta shesë këtë tezë si një mbrojtje të vlerave universale të katolicizmit dhe të trashëgimisë historike të krahinës.

Megjithatë, alarmi i tij i stisur mbi të ardhmen e komunitetit katolik në Shqipëri tradhton një axhendë shumë më të errët. Si një njeri i lexuar dhe me pretendime intelektuale, deputeti demokrat duhet ta njohë mirë historinë dhe të kuptojë se ku çon ky lloj prozelitizmi dhe segregacioni territorial.

Çka e bën këtë situatë alarmante është fakti se kjo retorikë përkon çuditërisht me zërat e disa grupimeve ekstremiste dhe prozelitiste që operojnë prej kohësh në rrjetet sociale nën emra të tillë si “Republika e Mirditës” apo “Rilindja Arbërore”.

Këto grupime nxisin çdo ditë përçarjen fetare, denigrojnë besimet e tjera – veçanërisht atë musliman – dhe bëjnë thirrje agresive për “rikthim në fene e të parëve”.

Fakti që këto teza përçarëse, të cilat dikur qarkullonin vetëm në profilet anonime të internetit, sot kanë gjetur një zë dhe një përfaqësues zyrtar deri në sallën e parlamentit shqiptar, përbën një zile të fortë alarmi për institucionet ligjzbatuese të vendit.

Historia na kujton se eksperimentet e tilla me copëtime krahinore mbi baza fetare kanë pasur gjithmonë prapavija të rrezikshme gjeopolitike.

Vetë e ashtuquajtura “Republika e Mirditës” e vitit 1921, e krijuar nga Gjon Marka Gjoni në Prizren nën sundimin e atëhershëm serb, u financua me 1.5 milionë franga ari nga Beogradi dhe u armatos prej tij vetëm për të diskredituar dhe dobësuar qeverinë e brishtë të Tiranës përpara Fuqive të Mëdha.

Asokohe, Serbia përdori pikërisht manipulimin e popullsisë së izoluar me pretendimin e rremë se “Tirana po kërcënonte lirinë fetare”.

Duke kërkuar ricopëtimin territorial mbi baza të tilla, Gjekmarkaj, qëllimisht ose jo, bëhet vegël e të njëjtave teza që dikur synonin copëtimin e shtetit shqiptar.

Shqipëria nuk mund të lejojë që reformat e saj shtetformuese të kthehen në mjete për të kënaqur ambiciet e individëve që kërkojnë të ndërtojnë pushtet moral mbi skenare përçarëse. Institucionet e sigurisë dhe ligjzbatuese duhet të reagojnë përpara se këto provokime të përshkallëzohen në episode të padëshirueshme tensioni fetar.

Fati i këtij vendi qëndron te bashkëjetesa dhe integrimi, jo te krijimi i enklavave që mbjellin dasi e izolim. tesheshi.com

Related posts

“Duhet të shohim nëse ai gënjeu”- Donald Trump: Princi Harry mund të deportohet nga SHBA për shkak të përdorimit të drogës

admin

Jep dorëheqje kryetari i Bordit të RTK-së

Muhamet Ramadani

Suedia heq embargon e armëve ndaj Turqisë

admin