Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u ka bërë thirrje Huthive të përmbahen nga çdo sulm i mëtejshëm ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq, duke paralajmëruar se rifillimi i luftimeve mund ta përfshijë edhe më thellë Jemenin në konfliktin rajonal, transmeton Anadolu.
“Sekretari i përgjithshëm është thellësisht i alarmuar nga rifillimi i sulmeve të Huthive ndaj anijeve tregtare që kalojnë nëpër Detin e Kuq dhe nga kërcënimet e reja ndaj lundrimit detar”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.
Sipas tij, sulmet e marra përsipër nga Huthit rrezikojnë “të rrisin më tej tensionet rajonale dhe të zgjerojnë ciklin aktual të përshkallëzimit, me potencialin për ta përfshirë Jemenin edhe më thellë në konfliktin rajonal”.
“Veprimet e mëtejshme ushtarake në Jemen do të dëmtojnë perspektivat për paqe dhe do të shkaktojnë pasoja të rënda ekonomike, humanitare dhe mjedisore në rajon dhe përtej tij”, thuhet më tej në deklaratë.
Guterres bëri thirrje për “ulje të menjëhershme të tensioneve” dhe u kërkoi Huthive “të përmbahen nga çdo sulm i mëtejshëm ose veprim tjetër përshkallëzues”, në përputhje me Rezolutën 2722 (2024) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe rezolutat pasuese që kanë të bëjnë me sulmet ndaj anijeve tregtare dhe lirinë e lundrimit në Detin e Kuq.
Dje, Huthit deklaruan se kishin shënjestruar dy cisterna saudite të naftës me raketa balistike, raketa lundruese dhe dronë, duke pretenduar se anijet kishin shkelur atë që grupi e përshkroi si bllokadën e tij detare dhe se sulmet kishin goditur objektivat drejtpërdrejt.
Sulmet ndodhën disa ditë pasi Huthit njoftuan ndalimin e lundrimit detar drejt Arabisë Saudite, duke nxitur koalicionin e udhëhequr nga Arabia Saudite të premtojë një përgjigje “të vendosur dhe të fuqishme” dhe të nisë masa për mbrojtjen e anijeve që kalojnë nëpër ngushticën Bab al-Mandeb.

