RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

“Besa” e Ramës si “Libri i Kuq” i Maos!

“besa”-e-rames-si-“libri-i-kuq”-i-maos!

Fjalë të mëdha për besimin, mbi rrënojat e një qeverisjeje pa besueshmëri

Në vitin 1964, Mao Ce Duni u dhuroi kinezëve një libër të vogël me kopertinë të kuqe, të mbushur me aforizma, parulla dhe të vërteta absolute. “Libri i Kuq” nuk u shkrua për të shpjeguar realitetin, por për ta zëvendësuar atë.

Nuk kishte rëndësi çfarë shihnin njerëzit me sytë e tyre; rëndësi kishte çfarë u thuhej të besonin. Gjashtë dekada më vonë, Shqipëria ka marrë versionin e saj modern: dokumentin strategjik “BESA”.

Nuk është një program qeverisës apo një plan reformash. Nuk është as edhe një autokritikë. Është një traktat filozofik, ku fjalët “besim”, “kujdes”, “dëgjim”, “evidencë” dhe “përvojë qytetare” përsëriten me ritmin monoton të një liturgjie politike, sikur vetëm shqiptimi i tyre të kishte fuqinë të fshinte trembëdhjetë vite korrupsion, arrogancë dhe kapje të shtetit.

Paradoksi më i madh i këtij dokumenti nuk është ajo që thotë por kush e thotë. Në dhjetëra faqe, Edi Rama flet për një qeveri që duhet të dëgjojë qytetarët. Por pikërisht qeveria e tij i shpërfilli për muaj me radhë protestuesit e Vjosë-Nartës, derisa bulevardi u mbush me mijëra njerëz.

Flet për transparencë, ndërsa kontratat më të mëdha të dekadës janë firmosur nën vellon e sekretit. Predikon “evidencën”, kur investimet strategjike janë kthyer në sinonim të vendimeve të marra pas dyerve të mbyllura.

Në dokument shkruhet se “besimi nuk ndërtohet nga fjalët, por nga përputhja mes tyre dhe veprave”. Kjo është ndoshta fjalia më ironike që ka prodhuar ndonjëherë propaganda qeveritare.

Sepse pikërisht mospërputhja mes fjalëve dhe veprave është arsyeja pse shqiptarët kanë zbritur në rrugë.

Tek “BESA”, protesta nuk paraqitet si revoltë ndaj korrupsionit, kapjes së pronës apo shkatërrimit të zonave të mbrojtura. Ajo shpjegohet si “paradoksi i suksesit”: qytetarët protestojnë sepse jetojnë më mirë dhe kanë pritshmëri më të larta.

Është një sofizëm në formën e tij më të pastër. Një logjikë sipas së cilës problemi nuk është qeverisja, por fakti që qytetarët janë bërë tepër kërkues.

Nëse do ta ndiqnim këtë arsyetim deri në fund, atëherë çdo protestë është provë e suksesit të pushtetit. Sa më i madh zemërimi, aq më e madhe qenka arritja. Një teori që do ta kishte zili çdo propagandë e regjimeve totalitare.

Dokumenti është plot me mekanizma të rinj: “Dosja e Evidencës”, “Vlerësimi i Dëgjesës”, “Paneli i Performancës”, “Flamingo Mirror”, “Barometri Kombëtar i Besimit”.

Emra modernë, terminologji menaxheriale. Por problemi nuk ka qenë kurrë mungesa e formularëve. Ligjet për konsultimin publik, transparencën, konfliktin e interesit dhe mbrojtjen e mjedisit ekzistojnë prej vitesh.

Ajo që ka munguar është zbatimi i tyre. Asnjë manual nuk e shëron një kulturë politike që e konsideron shtetin pronë private.

Prandaj “BESA” nuk ngjan me një projekt reformash por me një operacion estetik mbi një trup politik që ka humbur funksionet jetësore.

Ndryshohen emrat, krijohen platforma të reja, shpiken akronime dhe mekanizma, por zemra e sistemit mbetet e njëjtë: pushteti i pakontrolluar.

Është mjaft domethënëse që e dokumenti pranon se qytetarët nuk e krahasojnë më Shqipërinë me vitin 2013, por me atë që ajo mund të ishte sot.

Ky është ndoshta pa dashje, pranimi më i madh i dështimit të mandatit të katërt. Sepse kur je në mandatin e katërt nuk mund të kërkosh ende mirëkuptim duke folur për atë që gjete trembëdhjetë vjet më parë.

Pra “BESA” nuk është një dokument për të ndryshuar qeverisjen por për të ndryshuar narrativën. Një përpjekje për ta zëvendësuar realitetin me një univers fjalësh të bukura, ku korrupsioni quhet “mungesë besimi”, protesta quhet “paradoks i suksesit” dhe ku dështimi maskohet si “fazë e re zhvillimi”.

Ashtu si “Libri i Kuq” i Maos, edhe “BESA” nuk kërkon që qytetarët të shohin. Ajo kërkon që ata të besojnë.

Por historia ka treguar se kur propaganda fillon të zëvendësojë realitetin, zakonisht nuk është shenjë force. Është shenja më e qartë se pushteti ka filluar të humbasë kontaktin me të vërtetën dhe po shkon symbyllur drejt humnerës. tesheshi

Related posts

Algjeria paraqet projekt-rezolutë në KS-OKB për sigurimin e armëpushimit humanitar në Gaza

admin

Shkak grevat, qytetarët detyrohet të presin në radhë me orë të tëra

admin

BE i bashkohet Konventës së Stambollit për të luftuar dhunën ndaj grave

admin