A do t’i shndërrojë kërcënimet në veprime konkrete?
Mbledhja e fundit e Partisë Socialiste, e zhvilluar në Pallatin e Brigadave, duket se ka hapur një tjetër kapitull përplasjesh të brendshme në kampin socialist.
Edhe pse kryeministri Edi Rama kërkoi që diskutimet të mbeteshin konfidenciale dhe prezantoi platformën e re “BESA”, debati publik nuk u shmang.
Në qendër të tij është sërish deputeti Erion Braçe, i cili përmes një reagimi të fortë në rrjetet sociale ka lëshuar një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj Ramës dhe drejtuesve të Partisë Socialiste.
Braçe mohon kategorikisht raportimet se është përplasur me kryeministrin apo se është nxjerrë jashtë mbledhjes. Sipas tij, askush nuk ka autoritetin ta përjashtojë nga një parti ku, siç shprehet vetë, ka qenë pjesë “para çdokujt” që ndodhet sot në drejtimin e saj.
Ai sqaron se është larguar me vullnetin e tij, pasi kishte përfunduar gjithçka kishte për të thënë dhe nuk kishte më arsye të qëndronte. Por mesazhi më i fortë nuk lidhet me këto përgënjeshtrime.
Deputeti socialist rikujton se në fillim të mbledhjes ishte rënë dakord që askush të mos nxirrte jashtë “fjalët e shtëpisë” dhe se kushdo që do ta bënte do të shërbente si shembull disipline.
Pikërisht për këtë arsye ai kërkon tani që ky premtim të zbatohet, duke paralajmëruar se, nëse nuk ndodh, do të detyrohet të marrë vetë një vendim.
Deklarata e Braçes është interpretuar nga shumë vëzhgues si shenja e një pakënaqësie që ka kohë që zien brenda Partisë Socialiste.
Ai ka qenë ndër zërat e rrallë kritikë ndaj qeverisë edhe pse pjesë e së njëjtës shumicë, ndërsa nuk kanë munguar rastet kur është lënë në hije ose është përballur me kritika publike nga vetë Edi Rama.
Pikërisht për këtë arsye, reagimi i fundit ngre një pyetje politike që shkon përtej debatit për rrjedhjen e informacionit nga mbledhja. A do të mjaftohet Braçe vetëm me një postim në rrjetet sociale, apo këtë herë do ta çojë deri në fund sfidën që i ka adresuar kryeministrit?
Paralajmërimi se, në mungesë të një “shembulli”, do të mendojë një rrugë tjetër, është fraza që ka ngjallur më shumë interes dhe ka lënë të hapur skenarët për zhvillimet e ardhshme.
Mbetet për t’u parë nëse Rama do t’i përgjigjet publikisht kësaj sfide apo do ta kalojë në heshtje, siç ka ndodhur edhe në raste të tjera.
Po aq interesante është edhe përgjigjja që pritet nga vetë Braçe: a do të mbetet sërish te denoncimet publike, apo do të ndërmarrë një hap konkret politik, duke i dhënë fund një historie që shumëkush e konsideron si një seri poshtërimesh të përsëritura ndaj një prej figurave më të vjetra të socialistëve.
Postimi i plotë i Erion Braçes:
“Dje para se te flisja-ishte ne fillim te mbledhjes, krejtesisht ne mirebesim te kryetarit te partise qe kerkoi aty qe te flitej hapur, ju luta pjesmarresve ne mbledhje-kishte me shume se deputete aty, te mos nxirrnin “jashte shtepie” fjalet e mia; ju thashe qe nese gjykoj te them dicka publikisht, e bej vete, ska nevoje ta bej kush per mua!
Dhe e zbatuan, nuk kane nxjerre ne publik asnje fjale timen, por kane nxjerre gjithcka tjeter, duke shtuar e transformuar!
Tani, meqe dje u morr nje angazhim per ta bere shembull ate qe nxjerr jashte shtepie fjalet, mezi pres te shoh shembullin; ne mungese te tij, do me duhet te mendoj dicka tjeter qe ka kohe qe ma thone.
Nderkohe, mua nuk me ka nxjerre kush nga mbledhja, nuk ka sesi, nuk ndodh-jam ne kete shtepi para cdokujt aty;
Une jam ulur dje kur nuk kam patur me cte thoja! Ne kete mbledhje dhe tjetren para saj shume me gjate-edhe ajo u banalizua me porosi, kam thene ate qe degjoj dhe mendoj, asgje me pak dhe asgje me shume se sa thone SOCIALISTET dhe me gjere, cdo dite ne kete vitin qe une kam ne TIRANE; ndaj une rri ne rruge, per te degjuar secilin cdokend.
Une kam ikur nga mbledhja vete, kur nuk kisha me cte degjoja! Kjo eshte e verteta dhe meqe ka ca kohe qe mbledhjet rregjistrohen te gjitha, mund edhe tua dokumentojne”. tesheshi

