Fundjava e fundit e korrikut ka sjellë një fluks të lartë qytetarësh dhe automjetesh në pikën e përbashkët kufitare të Kosovës e Shqipërisë në Morinë.
Që në orët e para të mëngjesit, mijëra qytetarë të Kosovës i janë drejtuar Shqipërisë për të kaluar fundjavën, por edhe për të nisur pushimet verore në bregdetin shqiptar.
Rritja e lëvizjeve lidhet edhe me kthimin e emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të Evropës.
Për të përballuar fluksin dhe për të shmangur vonesat, Policia Kufitare ka zbatuar procedurën e thjeshtuar të kalimit në kufi për automjetet me targa të Shqipërisë dhe Kosovës.
Në varësi të numrit të udhëtarëve, janë hapur edhe sportele shtesë, duke mundësuar një qarkullim më të shpejtë dhe duke shmangur krijimin e kolonave të gjata.
Sipas të dhënave të Policisë Kufitare, vetëm gjatë orëve të para të ditës së sotme kanë hyrë në territorin shqiptar mbi 11 mijë qytetarë nga Kosova dhe rreth 7 400 automjete.
Autoritetet parashikojnë që fluksi të vijojë i lartë edhe gjatë ditëve në vijim, në kulmin e sezonit turistik./Abc News

