RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Vietnami, pasqyrë e asaj çfarë ndodh aty ku investon familja Trump…

vietnami,-pasqyre-e-asaj-cfare-ndodh-aty-ku-investon-familja-trump…

Shpronësime të detyruara, fermerët braktisin tokat dhe varrezat

Në veri të Vietnamit, përgjatë brigjeve të Lumit të Kuq, dhjetëra familje po përgatiten të lënë tokat që i punojnë prej brezash.

Qeveria ka nisur tashmë fazën vendimtare të shpronësimeve të nevojshme për ndërtimin e një kompleksi gjigant imobiliar prej rreth 1.5 miliardë dollarësh, një projekt i zhvilluar nën markën e presidentit amerikan Donald Trump.

Zona e prekur ndodhet në provincën Hung Yen dhe mbulon rreth 900 hektarë. Projekti parashikon realizimin e një resorti luksoz me hotele me pesë yje, fusha golfi, vila ekskluzive, zona tregtare dhe struktura rekreative të shpërndara në një sipërfaqe me përmasa gjigante.

Për t’i hapur rrugë ndërhyrjes, do të jetë e nevojshme të zbrazen zona të gjera bujqësore që sot kultivohen nga dhjetëra familje.

Përveç humbjes së tokave, shumë banorë denoncojnë se shpronësimi do të rrezikojë edhe qasjen në varrezat familjare, ku prehen të parët e tyre – një element me rëndësi të veçantë në traditën vietnameze, e cila i kushton vlerë të madhe kultit të paraardhësve dhe mundësisë për t’u kujdesur për varret.

Dëmshpërblimi i propozuar nga autoritetet korrespondon me rreth një vit të ardhura bujqësore, një kompensim i konsideruar i pamjaftueshëm nga banorë të shumtë, të cilët për muaj me radhë kanë tentuar të bllokojnë projektin përmes ankesave administrative.

Për ca kohë, nisma kishte mbetur e bllokuar në një seri të gjatë ankesash të paraqitura nga banorët, të cilët kontestonin si vlerën e dëmshpërblimeve, ashtu edhe humbjen e tokave nga të cilat varet jetesa e tyre.

Tani autoritetet kanë njoftuar urdhrat e dëbimit, duke sqaruar se, nëse palët e interesuara refuzojnë dëmshpërblimin e parashikuar, marrja e pronave do të mund të ekzekutohet edhe përmes përdorimit të forcës.

Shpejtësia me të cilën Hanoi ka vendosur të zhbllokojë një projekt që kishte mbetur i pezulluar për muaj me radhë, duket e lidhur ngushtë me momentin delikat që po kalojnë marrëdhëniet ekonomike me Uashingtonin.

Vitet e fundit, Vietnami është bërë një nga përfituesit kryesorë të zhvendosjes së zinxhirëve prodhues jashtë Kinës. Shumë kompani shumëkombëshe kanë transferuar në këtë vend një pjesë të prodhimit të destinuar për tregun amerikan, duke shkaktuar një shpërthim të eksporteve vietnameze drejt Shteteve të Bashkuara.

Por ky sukses industrial, ka prodhuar edhe një çekuilibër të madh tregtar. Sipas të dhënave zyrtare vietnameze, në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, suficiti tregtar ndaj Shteteve të Bashkuara arriti në mbi 75 miliardë dollarë, me një rritje prej rreth 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Një e dhënë kjo që ka përforcuar kritikat e administratës Trump, e cila prej kohësh është e bindur se partnerë të shumtë tregtarë po përfitojnë në mënyrë të tepruar nga qasja në tregun amerikan.

Uashingtoni ka hapur prandaj një hetim tregtar ndaj Vietnamit sipas Nenit 301 të Ligjit të Tregtisë (Trade Act), instrumenti që u mundëson Shteteve të Bashkuara të kontestojnë praktikat e konsideruara të pandershme dhe, nëse është e nevojshme, të vendosin tarifa të reja ose masa të tjera kufizuese.

Ndër aspektet që janë objekt i hetimit përfshihen shkeljet e pronësisë intelektuale, përdorimi i mundshëm i produkteve të lidhura me punën e detyruar dhe politikat industriale të konsideruara si shformuese të konkurrencës.

Për Hantoin, mundësia e tarifave të reja përfaqëson një nga rreziqet kryesore ekonomike. Tregu amerikan është destinacioni më i rëndësishëm për eksportet vietnameze dhe një shtrëngim proteksionist mund të ngadalësonte rritjen e një modeli ekonomik që varet fuqishëm nga eksportet prodhuese.

Pikërisht në këtë skenar,. projekti imobiliar i lidhur me Trumpin merr një rëndësi politiko-strategjike. Qeveria vietnameze po përpiqet të mbajë një marrëdhënie konstruktive me Uashingtonin, duke shumëfishuar sinjalet e hapjes ndaj investimeve amerikane dhe duke përshpejtuar nismat që mund të interpretohen si një gjest i vullnetit të mirë ndaj administratës amerikane.

Gjatë një takimi të fundit mes ministrit të Jashtëm vietnamez Le Hoai Trung dhe sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio, Hanoi ritheksoi vullnetin për të përmbyllur shpejt negociatat tregtare në vijim e sipër dhe kërkoi mbylljen e hetimit amerikan, duke pretenduar se ka adoptuar tashmë masa për t’iu përgjigjur shqetësimeve të Uashingtonit.

Debati mbi resortin, tregon çmimin që Vietnami mund të jetë i gatshëm të paguajë për të ruajtur qasjen e privilegjuar në tregun amerikan. Pra fati i qindra fermerëve përfundon kështu duke u gërshetuar me një lojë shumë më të gjerë. tesheshi

Related posts

Ministrja e Jashtme sllovene: Njohja e Palestinës është ‘detyrë morale’

Muhamet Ramadani

FOTOLAJM/ “Mendova se ishte një imazh nga inteligjenca artificiale”, politikani estonez bëhet viral për modelin unik të flokëve

admin

Kërcënimet e Trump me tarifat doganore, Sekretari amerikan i Thesarit “këshillon” vendet evropiane: Përmbajuni marrëveshjeve tregtare!

admin