RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Nga Enveri te Edi: Logjika diktatoriale e popullit të ndarë më dysh

nga-enveri-te-edi:-logjika-diktatoriale-e-popullit-te-ndare-me-dysh

Besnikë me “kontratë” dhe kundërshtarë pa të drejta

Reagimi i fundit i kryeministrit Edi Rama ndaj protestuesve në bulevard nuk është thjesht një shfaqje e radhës e arrogancës së tij tipike. Ai është një alarm i pastër kushtetues dhe historik.

Përmes një logjike të rrezikshme përjashtuese, kreu i qeverisë e ndau zyrtarisht popullin në dy pjesë të papajtueshme. Nga njëra anë qëndrojnë ata që ai i quan besnikë me “kontratë” që kanë lidhur me të përmes votës që i kanë dhënë, e nga ana tjetër, qytetarët që guxojnë të dalin në protestë.

Me këtë akt, kryeministri shpall një doktrinë që e godet në zemër rendin demokratik. Ai pranon publikisht se qeveris vetëm për ata që e kanë votuar. Kështu, zyra e Kryeministrit pushon së qeni një institucion kombëtar.

Ajo shndërrohet në një seli partie, duke e mbyllur dritaren e shtetit mbi gjysmën e vendit. Në thelbin e reagimit të djeshëm të kryeminisitrit qëndron një mentalitet i vjetër dhe i njohur, nga i cili Shqipëria vuajti tmerrësisht për gati gjysmë shekulli nën diktaturë.

Ndarja e shoqërisë në “tanët” dhe në “armiq”, në besnikë të partisë dhe në sabotatorë të padëshirueshëm, është një reminishencë e frikshme e të shkuarës. Rama e tha dje hapur se pretendon se ka një marrëdhënie ekskluzive vetëm me 800 mijë votuesit e tij.

Dhe po sipas tij, pjesa tjetër e popullsisë nuk ka asnjë të drejtë të kërkojë llogari apo të ndikojë në vendimmarrje. Ky pohim e minon parimin më elementar të demokracisë.

Sepse vota e shumicës shërben vetëm për të marrë mandatin. Dhe sapo betohesh mbi Kushtetutë, pushteti ushtrohet mbi të gjithë dhe në të mirë të të gjithëve.

Kryeministri nuk është një sipërmarrës privat dhe shteti nuk është një biznes që menaxhon klientë të përzgjedhur. Me Kushtetutë ai është garant i unitetit kombëtar dhe ka detyrime ligjore ndaj çdo shtetasi, pa dallim bindjesh politike.

Duke e kushtëzuar të drejtën për t’u dëgjuar me votën e dhënë, Rama po rikthen një formë të rrezikshme të segregacionit politik.

Kur qytetari që proteston për dinjitet, ekonomi apo drejtësi trajtohet si një element armiqësor që thjesht po prish qetësinë e udhëheqjes, atëherë është mëse e qartë se Shqipëria po rrëshqet pas në kohë.

Kjo qasje e ndan vendin në dy kategori: në qytetarë të favorizuar që meritojnë vëmendje dhe në nën-qytetarë të përjashtuar që duhen injoruar. Tallja e tij cinike se opozita dhe protestuesit mund të qëndrojnë në rrugë deri në vitin 2029, është dëshmia e një pushteti që e sheh veten të paprekshëm dhe të përjetshëm.

Por liria dhe demokracia nuk janë lëshime me pikatore nga dritarja e Kryeministrisë. Ky popull përbëhet nga njerëz prej mishi e gjaku, nga tatimpagues që me punën e tyre financojnë pikërisht zyrën nga ku sot iu mohohet qenësia.

Kur qeveria nuk e njeh kritikën si pjesë integrale të trupit politik, ajo pushon së qeni demokratike dhe kthehet në një autokraci elektorale.

E ashtuquajtura “besë” e Ramës që refuzohet nga qytetarët protestues por jo vetëm, nuk është një pakt kulisash, por besimi elementar se ky shtet u përket të gjithëve njësoj.

Kur ky besim vritet nga arroganca e numrave, e drejta për të qeverisur kthehet në një uzurpim të thjeshtë force. Dhe herë a vonë, populli e gjen gjithmonë forcën që e thyen atë.

Shqipëria nuk mundet dhe nuk do të pranojë kurrë të kthehet prapa. Fantazmat e gjysmë-shekulli diktataturë s’kanë vend në të ardhmen tonë. tesheshi

Related posts

Vuçiç u ankua se SHBA s’po flet për “arrestimet e serbëve” në Kosovë, kjo është përgjigjja që i dha zyrtari i lartë amerikan

admin

Ukraina: Ashpërsohen luftimet në Donjeck, Rusia po planifikon ofensivë në Herson

admin

Moti i keq në Shqipëri, vazhdon angazhimi i autoriteteve

Muhamet Ramadani