Dhuna e përshkallëzuar e kolonëve izraelitë, djegia e xhamive, bastisjet ushtarake dhe zhvendosja e palestinezëve po e shtyjnë Bregun Perëndimor të pushtuar drejt një krize të rëndë.
Për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë, Ambasada e SHBA-së në Izrael ka vendosur kufizime të përkohshme për lëvizjen e personelit dhe familjeve të tyre. Ambasada u ka bërë thirrje punonjësve të shmangin lëvizjet jo të domosdoshme dhe tubimet publike të paktën deri të mërkurën.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se vazhdon të jetë në kontakt të vazhdueshëm me partnerët rajonalë lidhur me situatën e brishtë të sigurisë.
Sulmet e kolonëve përshkallëzohen
Gjatë javëve të fundit janë shtuar sulmet e kolonëve izraelitë ndaj qyteteve dhe fshatrave palestineze. Shtëpi, toka bujqësore dhe automjete janë djegur, ndërsa banorët kanë raportuar sulme të përsëritura, kërcënime dhe përpjekje për t’i larguar nga tokat e tyre.
Në fshatin Jalud, në jug të Nablusit, një familje palestineze u detyrua të largohej nga shtëpia e saj pas rreth tre muajsh presioni dhe ngacmimesh. Sipas burimeve lokale, kolonët kishin ngritur një pikë të paligjshme pranë banesës, i kishin vënë zjarrin shtëpisë, kishin ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe kishin penguar familjen të siguronte ushqim, ujë dhe ndihmë mjekësore.
Në veri të Bregut Perëndimor, kolonët i vunë zjarrin dy xhamive në dy sulme të ndara. Xhamia Al-Rahma në Qusra, në jug të Nablusit, dhe një xhami në fshatin Kour, pranë Tulkaremit, pësuan dëme të mëdha.
Në muret e nxira nga zjarri u shkruan slogane urrejtjeje në hebraisht. Pamjet e kamerave të sigurisë në Kour treguan tre persona që shpërthyen eksplozivë në hyrje të xhamisë.
Sipas zyrtarëve palestinezë, të paktën 45 xhami janë dëmtuar ose djegur nga kolonët izraelitë vetëm gjatë vitit 2025.
Djegia e xhamive ndodhi pas një përplasjeje vdekjeprurëse të premten në fshatin Tell, në jugperëndim të Nablusit. Sipas burimeve palestineze, një grup kolonësh të armatosur hynë në toka palestineze, duke pretenduar se po zhvillonin një shëtitje të paautorizuar.
Përplasja përfundoi me të shtëna dhe vdekjen e katër anëtarëve të familjes Ramadan — Ibrahim, Xhavad, Faruk dhe Imran — si dhe të një ushtari izraelit dhe një koordinatori të sigurisë së një vendbanimi.
Bastisje ushtarake dhe thirrje për shkatërrim
Pas incidentit në Tell, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, urdhëruan një operacion të gjerë ushtarak në komunitetet përreth.
Forcat izraelite vendosën shtetrrethim në Tell, Bureij dhe zona të tjera fqinje, dërguan pesë batalione shtesë dhe kryen kontrolle shtëpi më shtëpi. Më shumë se 70 palestinezë u arrestuan.
Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, bëri thirrje për shkatërrimin e plotë të fshatrave palestineze Tell, Iraq Burin dhe Beit Furik.
Ai tha se banorët duhet të largohen dhe se këto fshatra duhet të pastrohen nga ajo që e quajti “infrastrukturë terroriste”.
Pas këtyre deklaratave, grupe kolonësh të armatosur kryen sulme hakmarrëse në Faraata, Imatin, Jit dhe Masafer Yatta.
Kolonët dogjën shtëpi, automjete dhe dyqane, ndërsa buldozerët shkatërruan dhe çrrënjosën toka me ullinj.
Rritet dhuna dhe zhvendosja e palestinezëve
Të dhënat e Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tregojnë një rritje të vazhdueshme të dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Nga 1 janari 2025 deri më 30 qershor 2026, monitoruesit e OKB-së kanë regjistruar 3,033 sulme nga kolonët izraelitë.
Në vitin 2026 janë regjistruar mesatarisht 190 sulme në muaj, rreth 24 për qind më shumë se mesatarja mujore e vitit 2025, e cila ishte tashmë në nivel rekord.
Dhuna ka shkaktuar edhe zhvendosje të mëdha të palestinezëve. Vetëm gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, rreth 1,988 palestinezë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, një shifër që është 20 për qind më e lartë se numri i të zhvendosurve gjatë gjithë vitit 2025.
Rajonet e Ramallahut, Nablusit dhe Hebronit janë ndër zonat më të prekura nga dhuna e kolonëve dhe konfiskimi i tokave.
Sipas të dhënave të raportuara, rreth 700 mijë deri në 750 mijë kolonë izraelitë jetojnë aktualisht në rreth 250 vendbanime dhe pika të ngritura në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Jerusalemin Lindor.
Sipas së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutave të Kombeve të Bashkuara, vendbanimet izraelite në territoret palestineze të pushtuara konsiderohen të paligjshme. Organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se dhuna e kolonëve, e mbështetur nga autoritete izraelite, po ndryshon në mënyrë të pakthyeshme realitetin në terren. /mesazhi

