Sirenat e alarmit ajror zgjuan banorët në lindje të Polonisë herët në mëngjes, pasi Rusia njoftoi se kishte nisur një sulm ndaj Ukrainës gjatë natës, sipas transmetuesit polak TVP World, transmeton Anadolu.
Qyteti lindor polak Lublin dhe qyteti i afërt Krasnystaw u zgjuan nga sirenat paralajmëruese pasi Qendra Qeveritare për Sigurinë aktivizoi sistemin e alarmit për shkak të sulmeve ruse pranë kufirit.
Alarmet zgjatën disa minuta, ndërsa Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura vendosi në përdorim avionë luftarakë dhe një avion paralajmërues të hershëm ajror, si dhe rriti nivelin e gatishmërisë së sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe radarëve.
“Këto veprime kanë natyrë parandaluese dhe synojnë sigurimin dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore, veçanërisht në zonat pranë rajoneve të kërcënuara”, tha ushtria, sipas raportimeve.
Më vonë, komanda bëri të ditur se një objekt u afrua rreth 5 kilometra pranë kufirit polak përpara se të ndryshonte drejtim, ndërsa një tjetër hyri për pak kohë në hapësirën ajrore polake, duke nxitur ngritjen në fluturim të një avioni luftarak F-16 për ta identifikuar atë.
Objekti më pas u zhduk nga radarët dhe dyshohet se ka rënë në një zonë të pabanuar në rajonin e Lublinit, ku po zhvillohen operacione kërkimi.
Autoritetet njoftuan se sulmet ajrore ruse vranë tetë persona në rajone të ndryshme të Ukrainës të enjten, ndërsa të dyja palët shkëmbyen akuza për shkak të sulmeve gjatë natës.
Të mërkurën vonë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se kishte marrë një raport nga komandanti i Forcave Ajrore, Anatolii Kryvonozhko, dhe paralajmëroi se ekziston një “mundësi e lartë” për një “sulm masiv” nga Rusia gjatë natës.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një deklaratë se kishte nisur një sulm “masiv” ndaj Ukrainës gjatë natës, duke synuar “aeroportet ushtarake, objektet e kompleksit ushtarako-industrial dhe qendrat ushtarake të telekomunikacionit dhe logjistikës” në rajone të ndryshme të Ukrainës.

