Autoritetet në enklavën spanjolle të Ceutës kanë ngritur alarmin pasi mijëra migrantë kanë hyrë në territor nga Maroku gjatë ditëve të fundit, në përpjekje për të arritur në Evropë.
Sipas qeverisë së Ceutës, mes 1.500 dhe 2.000 persona kanë hyrë në enklavë gjatë 10 ditëve të fundit. Vetëm të enjten, qindra migrantë të tjerë kaluan kufirin, duke bërë që presidenti rajonal, Jesús Vivas, ta shpallë situatën një “emergjencë absolute humanitare dhe sociale” dhe t’i kërkojë qeverisë në Madrid të dërgojë ushtrinë për të forcuar kontrollin kufitar.
Ministria e Brendshme e Spanjës refuzoi kërkesën për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në nivel kombëtar, duke theksuar se legjislacioni nuk e parashikon këtë masë për krizat migratore. Megjithatë, ministria njoftoi se 60 ushtarë do të dërgohen për të përforcuar sigurinë në kufi.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë migrantë që brohorasin “Rroftë Spanja!” ndërsa hyjnë në Ceutë. Shumë prej tyre kanë kaluar nga bregu maroken me mjete lundruese të improvizuara, ndërsa të tjerë kanë kaluar kufirin tokësor duke kapërcyer gardhet.
Aktivisti për të drejtat e migrantëve, Zakaria Zarroqui, tha se situata i ngjan asaj të majit 2021, kur rreth 10.000 të rinj nga Maroku dhe vendet e Afrikës Subsahariane hynë në Ceutë brenda pak ditësh.
Sipas tij, situata mbetet jashtë kontrollit, ndërsa shumë persona vazhdojnë të grumbullohen në qytetin maroken të Fnideq, me synimin për të kaluar kufirin drejt territorit spanjoll. /mesazhi

