RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Ekstremistët hebrenj po përpiqen të aneksojnë territore siriane dhe libaneze

ekstremistet-hebrenj-po-perpiqen-te-aneksojne-territore-siriane-dhe-libaneze

Ata po e bëjnë këtë duke abuzuar me tekstet e lashta biblike

Një grup ekstremistësh fetarë hebrenjsh, ka ndërmarrë së fundmi hapa konkretë për të themeluar një ngulim të ri në territorin sirian, duke shënuar një përshkallëzim të ri në përpjekjet e tyre për zgjerim territorial.

Kolonët radikalë, të organizuar nën siglën “Pionierët e Bashanit”, po përpiqen të realizojnë plane ekspansioniste që synojnë të sekuestrojnë pjesë të Sirisë dhe Libanit për t’ia bashkangjitur ato shtetit të Izraelit.

Këto lëvizje gjejnë mbështetje dhe simpati të gjerë në mesin e shumë zyrtarëve civilë dhe figurave politike izraelite. Në një konferencë ultranacionalistësh të mbajtur në pranverën e vitit 2025, Ministri izraelit i Trashëgimisë, Amichai Eliyahu, shprehu hapur këto ambicie përpara një salle që duartrokiste në unison, duke bërë thirrje për shtrirjen e sovranitetit mbi të gjithë rajonin fqinj.

Kjo rrymë përfaqëson një segment radikal që përbën rreth 10-15 për qind të trupës zgjedhore në Izrael, e cila voton vazhdimisht për partitë e sionizmit fetar. Këta ekstremistë i trajtojnë tekstet e lashta të Tora-s dhe Talmudit si udhëzime detyruese gjeopolitike.

Sipas interpretimit të tyre të Librit të Zanafillës, Zoti i premtoi pasardhësve të Abrahamit një territor që shtrihet “nga lumi i Egjiptit deri në lumin e madh, Eufrat”. Mbi këtë bazë teokratike, ata argumentojnë se kufijtë e Izraelit modern duhet të gllabërojnë pjesë të rëndësishme të vendeve sovrane fqinje si Siria, Egjipti dhe Libani.

Për dekada, kjo ideologji u mishërua përmes kolonive të paligjshme në Bregun Perëndimor dhe Gazë, por tashmë objektivat e tyre janë zhvendosur përtej këtyre kufijve. Ekstremistët shfrytëzuan menjëherë destabilitetin dhe luftërat e brendshme në Siri për të çuar përpara planin e tyre.

Për sionistët fetarë, i gjithë jugu i Sirisë është tokë e të parëve, e njohur historikisht me emrin biblik Bashan. Pasi trupat ushtarake izraelite ndërhynë në rajon me pretekstin e “zonave tampon”, kolonët nisën depërtimin e tyre duke krijuar organizatën “Pionierët e Bashanit”.

Veprimet e tyre kanë qenë tejet agresive. Ata kanë çarë në disa raste vijën kufitare, duke ngritur kampe me tenda dhe duke hedhur themelet e para të atyre që synojnë t’i kthejnë

në ngulime të përhershme të populluara nga hebrenj ortodoksë.

Përfaqësuesit e lëvizjes, deklarojnë hapur se këto aksione shërbejnë për të ushtruar presion mbi qeverinë, me qëllim që të sigurojnë të drejtën zyrtare për të shtyrë kufijtë politikë të Izraelit drejt atyre që përshkruhen në librat e tyre të shenjtë.

Por kjo lëvizje nuk vepron e vetme në këtë front ekspansionist. Ajo ndan të njëjtën linjë ideologjike dhe bashkëpunon ngushtë me organizatën “Uri Tzafon” (Zgjohu Erë e Veriut), e cila ka të njëjtin objektiv por të fokusuar ekskluzivisht mbi territorin e Libanit.

Udhëheqësit e këtij grupi radikal, kërkojnë legalizimin e menjëhershëm të kolonive hebreje në zonat e pushtuara libaneze, duke pretenduar gjithashtu se bëhet fjalë për një tokë të premtuar fetarisht.

Në hartat që ata qarkullojnë dhe promovojnë në qarqet politike, kufiri i ri i Izraelit zhvendoset të paktën 30 kilometra në thellësi të Libanit, duke gllabëruar pjesë të tëra të vendit fqinj.

Për më tepër, ky rrjet ekstremist ka arritur të ndërtojë lidhje të forta institucionale. Në janar të këtij viti, deputetja e parlamentit izraelit (Knesset), Limor Son Har-Melech, vlerësoi publikisht liderin e “Pionierëve të Bashanit”, Amos Azari, duke dëshmuar legjitimitetin që kjo axhendë po gëzon në sferat e larta të pushtetit.

Motoja e tyre e shpallur për rajonin mbetet radikale dhe e prerë: pushtim ushtarak, dëbim i popullsisë vendase arabe dhe kolonizim i plotë.

Ata po shfrytëzojnë peshën e tyre politike mbi partinë në pushtet, Likud, për të kushtëzuar aleancat qeverisëse në vjeshtën e këtij viti me pranimin e këtyre aventurave gjeopolitike, duke rrezikuar të ndezin një konflikt edhe më të gjerë rajonal për llogari të dogmave të tyre fetare. tesheshi

Related posts

Hapen qendrat e votimit për zgjedhjet e para në Bangladesh pas kryengritjes së vitit 2024

Kushtrim Guraj

Trump shpallet përgjegjës për abuzim seksual ndaj ish-kolumnistes E. Jean Carroll

Muhamet Ramadani

Osmani: E rrezikshme të kesh fqinj si Serbia, FSK e NATO do parandalojnë skenarët e Vuçiqit

Muhamet Ramadani