Kundërshtimet rriten, ndërsa kryeministri zgjedh gjuhën e ironisë dhe sfidës
Nëse ka një gjë që Edi Rama e zotëron me mjeshtëri, ajo është aftësia për ta shndërruar pakënaqësinë qytetare në një shfaqje cinike, ku ai i rezervon vetes rolin e protagonistit të pagabueshëm.
Reagimi i tij i sotëm ndaj kundërshtimeve për reformën territoriale nuk ishte thjesht një përgjigje politike, por një pasqyrim i qartë i mënyrës se si pushteti e sheh sot qytetarin: jo si një zë që duhet dëgjuar, por si një pengesë që duhet tallur.
Metafora e “kalorësit”, e përdorur me një ton përçmues, nuk synon të hapë një debat, por ta mbyllë atë. Kryeministri shfaqet i qetë në kolltukun e pushtetit, ndërsa ata që ngrenë shqetësime etiketohen si ankues të zakonshëm.
Një gjuhë e tillë përbën një fyerje për qytetarët që shohin se si vendime me pasoja afatgjata merren pa konsultim të vërtetë dhe pa transparencën e nevojshme.
Edhe më i dukshëm është përçmimi ndaj vetë votuesve dhe përfaqësuesve vendorë. Mesazhi është i qartë: vota e marrë dje interpretohet si një mandat i pakufizuar për të vendosur mbi gjithçka, pa marrë parasysh historinë, traditën dhe interesat e komuniteteve lokale.
Ndërkohë, pjesa më paradoksale e këtij qëndrimi mbetet thirrja për t’iu besuar vendimmarrjes parlamentare. Në një Kuvend ku mendimi kritik është zëvendësuar prej kohësh nga bindja e verbër, të flasësh për një proces të mirëfilltë demokratik tingëllon më shumë si ironi sesa si argument.
Historia ka treguar vazhdimisht se arroganca politike mbart brenda vetes edhe farën e rënies. Prandaj, urtësia popullore mbetet po aq e vlefshme edhe sot: qesh mirë ai që qesh i fundit!
Reagimi i plotë i kryeministrit
Vazhdon qarja e hallit të kalorësit se po i varen këmbët, së fundi edhe me një agjitim të madh nga vajtorët e vajtojcat, që tanimë po protestohet edhe ‘brenda PS’ dhe kjo qenka një shenjë tmerrsisht e keqe për ‘regjimin’.
Në fakt jo, përjashto aktin e turpshëm të djegies së teserave të PS në një rast, nga disa individë që as vetë s’kanë ditur tamam ç’kanë bërë apo ndonjë rast kur deputetë tanët kanë bërë ‘tribunin e vegjëlisë’ pa ditur tamam çfarë thonë, gjithçka tjetër është jo vetëm normale po edhe e mirëseardhur.
Dokumenti i reformës së propozuar është pikërisht në fazën e vet të konsultimit publik ligjor prej 60 ditësh dhe kjo fazë do të thotë pikërisht, bujrum gjithkush të shprehet lirisht për propozimin.
“Sipas ligjit kryetarët e bashkive e këshillat bashkiakë duhet të shprehen me shkrim për qëndrimet e tyre dhe është krejt e kuptueshme që ata që janë kundër të shprehen edhe me forma të tjera paqësore, për sa kohë nuk bllokojnë rrugë e nuk pengojnë të tjerët të bëjnë jetën e tyre, duke u futur vetë në konflikt me ligjin dhe me PS bashkë.
As në Shqipëri nuk ka regjim, as në PS nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë vendim për të shkurajuar askënd që të shprehë opinionin e vet për këtë reformë, për të cilën sigurisht do të vendosë parlamenti.
Por deri atëherë të gjithë do të dëgjohen, përfshirë edhe bashkitë që mund të duan të integrojnë tek vetja bashki më të vogla që në propozimin aktual mbeten siç janë.
Do të informohen shumë më tepër përgjatë këtyre 60 ditëve lidhur me arsyet logjike të propozimeve , ku nuk ka pasur si të merren parasysh reputacioni i zonës bashkiake që nga koha e antikitetit, numri i të rënëve në luftërat e 2000 viteve të fundit apo të tjera të dhëna e gojëdhëna të kësaj natyre, të cilat s’kanë qenë dhe s’mund të jenë farë argumenta në këtë debat. tesheshi

