Katari bëri thirrje sot për presion ndaj Izraelit për të zbatuar angazhimet e tij sipas marrëveshjes së armëpushimit të Gazës, duke thënë se Hamasi ka përmbushur të gjitha detyrimet sipas marrëveshjes, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në Doha, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Majed Al-Ansari tha se Hamasi “është angazhuar për gjithçka që pritej të bënte sipas udhërrëfyesit”.
“Ne i kërkojmë komunitetit ndërkombëtar të bëjë presion ndaj Izraelit për të zbatuar këtë marrëveshje në mënyrë që ne të mund të shkojmë përfundimisht drejt rindërtimit të Gazës”, tha ai.
Thirrja e tij erdhi pasi Bordi i Paqes dhe presidenti amerikan, Donald Trump njoftuan të premten se Hamasi kishte rënë dakord për një udhërrëfyes për zbatimin e fazës tjetër të armëpushimit të Gazës ndërsa Izraeli ende nuk ka shpallur një qëndrim zyrtar.
Katari, së bashku me Egjiptin dhe Turqinë, ka ndërmjetësuar përpjekjet për të siguruar zbatimin e marrëveshjes.
Izraeli ka vrarë më shumë se 73 mijë palestinezë dhe ka plagosur mbi 174 mijë të tjerë në një luftë brutale në Gaza që nga tetori 2023.
Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit në fuqi që nga 10 tetori 2025, Izraeli ka vazhduar sulmet e tij në të gjithë enklavën, duke vrarë 1.252 palestinezë dhe duke plagosur 4.120 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.

