Koreja e Veriut dënoi testimin e fundit të raketës “Tomahawk” nga Japonia, duke e etiketuar vendin një “shtet kriminel lufte”, njoftuan sot mediat shtetërore, transmeton Anadolu.
Kim Yo Jong, motra më e vogël e fuqishme e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të rrisë vigjilencën ndaj “ekspansionizmit të kohës së luftës” të Japonisë, njoftoi Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA).
“Tani është e qartë se lëvizje të tilla ishin, në fund të fundit, një taktikë e kamufluar për të mbuluar ambicien e saj për një gjigant ushtarak”, citohet të ketë thënë Kim, një ekzekutive e Partisë së Punëtorëve të Koresë në pushtet.
Vërejtjet e saj erdhën disa ditë pasi Forcat e Vetëmbrojtjes së Japonisë kryen testimin e tyre të parë të një rakete lundrimi “Tomahawk” të prodhuar nga SHBA-ja nga një destrojer.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të rrisë vigjilencën kundër ambicieve të pamatura ushtarake të pasardhësve të shtetit kriminel lufte të prirur për të realizuar ëndrrën e vjetër të ekspansionizmit japonez të kohës së luftës”, tha ajo.
Strategjia e sigurisë kombëtare e Japonisë, e miratuar në vitin 2022, i hap rrugën vendit për të fituar aftësinë për të goditur bazat e raketave armike si një masë vetëmbrojtëse brenda kufijve të kushtetutës së saj të heqjes dorë nga lufta, tha agjencia e lajmeve Kyodo.

