Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas analizave të realizuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë për produktet e qumështit.
Haxhiu ka deklaruar se siguria ushqimore nuk njeh kompromis, ndërsa ka thënë se rezultatet e analizave kanë zbuluar shkelje serioze.
Sipas saj, në disa produkte të qumështit është gjetur përdorim i qumështit pluhur, vajit të palmës dhe hirrës pa deklarim në etiketë, si dhe ujë i destinuar për ujitje në procesin e prodhimit.
“Kjo nuk është më çështje teknike. Kur qytetari paguan për qumësht dhe merr diçka tjetër, ai është mashtruar. Kur në prodhimin e ushqimit përdoret ujë i papërshtatshëm, nuk flasim më vetëm për etiketë, por për shëndetin e qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se situata bëhet edhe më shqetësuese për shkak se kjo industri përfiton mbështetje nga shteti përmes subvencioneve, lehtësirave dhe fondeve publike.
Sipas Haxhiut, nga kjo situatë është dëmtuar edhe fermeri, i cili e ka dorëzuar qumështin pa shtesa dhe zëvendësime, ndërsa konsumatori ka paguar çmimin e plotë duke besuar në informacionin e deklaruar në etiketë.
“Produktet me shkelje kritike duhet të tërhiqen nga tregu. Veprimtaria pa autorizim duhet të suspendohet, kushdo qofshin ata. Nëse ka elemente të veprës penale, çështja duhet t’i kalojë prokurorisë”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka kërkuar që kontrollet të shtrihen edhe në sektorë të tjerë, duke theksuar se qytetarët duhet të jenë të sigurt për ushqimin që konsumojnë.

