Lumenjtë po nxjerrin në sipërfaqe “gurët e urisë”
Kur natyra tërhiqet, ajo shpesh zbulon atë që njerëzit kanë harruar. Thatësira, përtej dëmeve që shkakton në bujqësi, ekonomi dhe ekosisteme, po shndërrohet në një lloj “arkeologeje” të pazakontë, duke nxjerrë në sipërfaqe gjurmë të së kaluarës që për shekuj kanë qenë të fshehura.
Në lumin Ren, rënia e nivelit të ujit ka zbuluar sërish dëshmi të kohëve kur mungesa e ujit ishte sinonim i urisë dhe krizave të mëdha.
Në zonën e qytetit Worms në Gjermani janë shfaqur të ashtuquajturat “gurë të urisë” (Hungersteine) – gurë të mëdhenj në shtratin e lumit, ku banorët e së kaluarës gdhendnin data dhe paralajmërime për periudhat e vështira.
Në këto gurë janë rikthyer të dukshme shënimet e viteve 1857 dhe 1947, periudha të shoqëruara me thatësira të forta, rënie të prodhimit bujqësor dhe vështirësi të mëdha për komunitetet lokale.
Për njerëzit e asaj kohe, një lumë i cekët nuk ishte thjesht një fenomen natyror, por një kërcënim për ushqimin, tregtinë dhe jetën e përditshme.
Në qytetin Neuss, ujërat e ulëta të Rinit nxorën gjithashtu në dritë një varkë të vjetër peshkimi për ngjalat, një dëshmi e harruar e mënyrës se si komunitetet ishin të lidhura me lumin dhe burimet e tij.
Por historia e zbuluar nga thatësira nuk kufizohet vetëm te lumenjtë. Në Mottisfont, në Hampshire të Anglisë, pamjet e marra nga dronët mbi livadhet e thara zbuluan gjurmë misterioze në bar, të njohura si parch marks.
Këto shenja krijohen nga ndryshimi i rritjes së bimësisë mbi struktura të varrosura dhe u lejuan arkeologëve të identifikojnë themelet e një manastiri mesjetar të ndërtuar në vitin 1201.
Kompleksi fetar, i ngritur për priftërinj, ndodhej në territorin ku sot gjendet një pronë historike e administruar nga National Trust.
Studiuesit zbuluan gjithashtu gjurmë të një banese të ndërtuar në shekullin XVI, pasi manastiri u shndërrua në rezidencë private gjatë shpërbërjes së manastireve nga mbreti Henry VIII në vitin 1536.
Këto zbulime vijnë në një kohë kur pjesë të Evropës po përballen me periudha gjithnjë e më të shpeshta thatësire dhe temperatura rekord.
Ato tregojnë se klima ka qenë gjithmonë një forcë që ka ndikuar në historinë njerëzore, por gjithashtu se toka dhe ujërat ruajnë një arkiv të jashtëzakonshëm të së kaluarës.
Sot, gurët e urisë në Ren dhe themelet e manastirit të fshehur në Angli nuk janë vetëm kuriozitete arkeologjike.
Ato janë paralajmërime të gdhendura nga koha: kujtesa e krizave të vjetra që rikthehet pikërisht në një epokë kur bota po përballet sërish me sfida të ngjashme klimatike. tesheshi

