RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Katër fjalë, trembëdhjetë vjet dhe një bilanc që nuk bind

kater-fjale,-trembedhjete-vjet-dhe-nje-bilanc-qe-nuk-bind

Reflektim veror i Ramës, më shumë si një operacion i zakonshëm propagandistik

Në një postim të fundit, të publikuar nga rehatia e shezlongut, kryeministri Edi Rama u përpoq të ripaketojë realitetin politik përmes katër shtyllave të të ashtuquajturës “Besë”: Besim, Empati, Shërbim dhe Angazhim.

Por ky reflektim veror duket më shumë si një operacion i zakonshëm propagandistik sesa si një bilanc i sinqertë i trembëdhjetë viteve në pushtet.

Shtylla e parë, besimi, është pikërisht ajo që është konsumuar më shumë. Në vitin 2013, mbi një milion shqiptarë i besuan Ramës drejtimin e vendit, me shpresën e një ndryshimi të thellë.

Por sot ai flet sërish për rikthimin e besimit, sikur të mos kishte qenë vetë njeriu që e mori në dorë dhe e shpërdoroi atë.

Metafora e “ujit të trazuar” tingëllon bukur në fjalime, por nuk mjafton për të fshehur hendekun e krijuar mes qytetarëve dhe institucioneve.

Edhe shtylla e dytë, empatia, rrëzohet lehtësisht përballë realitetit. Nuk ka asnjë provë të qëndrueshme që tregon se qeveria ka kuptuar vërtet vështirësitë e qytetarëve.

Përkundrazi, në shumë raste protestat janë ironizuar ose shpërfillur, ndërsa problemet e përditshme janë trajtuar si çështje dytësore. Empatia nuk matet me slogane, por me zgjidhjet që u jepen njerëzve.

Po aq e brishtë është edhe shtylla e shërbimit. Radhët e gjata në institucionet shtetërore, sidomos në sistemin shëndetësor, mbeten një realitet i pandryshuar. Vetë kryeministri e ka pranuar ekzistencën e këtij problemi.

Ndërkohë, përfitimet ekonomike janë përqendruar te një numër i kufizuar individësh, ndërsa rritja e çmimeve e ka rënduar jetën e shumicës së qytetarëve. Për shumë familje, zgjidhja e vetme ka qenë largimi nga vendi.

Së fundi, angazhimi i premtuar, bie ndesh me listën e gjatë të skandaleve, premtimeve të pambajtura dhe projekteve të mbetura përgjysmë.

Është e vështirë të flitet për një epokë të re, kur pas trembëdhjetë vitesh në pushtet vazhdohet të premtohet furnizimi i pandërprerë me ujë, ndërsa në pjesën më të madhe të vendit ai ende nuk konsiderohet i pijshëm.

Në fund, këto reflektime buzë detit dhe nën rrezet përvëluese të diellit, duken më shumë si një përshkrim i asaj që mungon sesa i asaj që është arritur. Ato nuk përfaqësojnë një filozofi të re qeverisëse, por një përpjekje për t’i dhënë një emër të ri problemeve të vjetra.

Dhe, nëse do të duhej të përmblidhej i gjithë ky bilanc, ndoshta shprehja më e përshtatshme do të ishte kjo: pesë me hiç…tesheshi

Related posts

Një në 20 palestinezë në Gaza janë të vdekur, të plagosur ose të zhdukur.

Muhamet Ramadani

Erdogan: Ekonomia e Turqisë shënoi 3,7% rritje vjetore në tremujorin e tretë, renditet e 4-ta midis vendeve të OECD-së

Muhamet Ramadani

“Izraeli vrau 340 mjekë dhe punonjës të kujdesit shëndetësor në Gaza”

admin