Vala e kontrolleve anti-migracion nuk kursen edhe akademikët
Një pedagog i vlerësuar me çmimin “Mësuesi i Vitit” në fushën e farmacisë u arrestua në një aeroport amerikan gjatë kthimit në shtëpi, duke hapur një debat të ri mbi mënyrën se si po zbatohen kontrollet e emigracionit në Shtetet e Bashkuara.
Më 21 korrik, Berhanu Kibret po përfundonte udhëtimin e tij në Dallas, ku kishte marrë pjesë në konferencën e Shoqatës Amerikane të Kolegjeve të Farmacisë.
Atje ai ishte nderuar me çmimin për mësuesin më të mirë të vitit. Por ndërsa ndodhej në aeroportin Dallas-Fort Worth për të marrë avionin drejt shtëpisë, ai u ndalua nga agjentë të Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE).
Kibret, me origjinë nga Etiopia, është doktor shkencash dhe studiues i neuroshkencës, i specializuar në sistemin endokanabinoid dhe mekanizmat e trurit që lidhen me varësitë.
Ai iu bashkua stafit akademik të Universitetit të Maryland në vitin 2023 dhe është përshkruar nga institucioni si “një pedagog efektiv, i dashur nga studentët dhe një koleg shumë i vlerësuar”.
Universiteti reagoi pas arrestimit duke thënë se në kampus është krijuar “një ndjenjë shqetësimi në rritje”, ndërsa kërkoi që çështja e statusit të tij të zgjidhet shpejt dhe ai të lejohet të vazhdojë punën akademike.
Por Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS) paraqiti një version tjetër. Sipas tij, Kibret është një emigrant që ka qëndruar në SHBA përtej afatit të vizës së tij.
Autoritetet pretendojnë se ai hyri në vend më 21 qershor 2021 me një vizë që skadonte më 31 maj 2024 dhe nuk u largua pas përfundimit të afatit.
DHS e cilësoi arrestimin si zbatim të ligjit dhe deklaroi se “ndalimi pas skadimit të vizës është një shkelje”.
Departamenti u ka bërë thirrje emigrantëve pa status të rregullt të përdorin aplikacionin CbP Home për largim vullnetar nga SHBA, duke ofruar një pagesë prej 2.600 dollarësh dhe një biletë avioni.
Megjithatë, Universiteti i Maryland e kundërshton këtë interpretim, duke deklaruar se Kibret kishte “një leje të rregullt pune”. Sipas universitetit, çdo çështje që lidhet me statusin e tij duhet të zgjidhet dhe ai duhet të rikthehet në aktivitetin e tij akademik.
Rasti i tij ngjan me një tjetër ndalim të fundit të një akademikeje. Fatima Ameaka, kërkuese me doktoraturë në farmaci në Universitetin Johns Hopkins, u arrestua më 28 korrik në aeroportin Baltimore-Washington ndërsa po udhëtonte brenda SHBA-së.
Edhe në rastin e saj, autoritetet pretenduan për probleme me vizën, ndërsa dokumentet e saj tregonin një leje pune të vlefshme deri në vitin 2029 dhe një proces azili në vazhdim.
Ameaka u lirua më vonë, ndërsa Kibret mbetet ende në paraburgim. Organizatat për të drejtat e emigrantëve thonë se këto raste mund të tregojnë një model të ri të përdorimit të kontrolleve në aeroporte për arrestime emigracioni.
Një studiuese nga “Amica Center for Immigrant Rights”, tha se aeroportet mund të jenë kthyer në objektiva të lehtë për arritjen e kuotave të arrestimeve.
Debati vjen në një kohë kur administrata amerikane ka shtuar kontrollet ndaj emigracionit. Një analizë e publikuar nga The Guardian, arrinte në përfundimin se një pjesë e madhe e personave ndaj të cilëve janë nisur procedura dëbimi pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë nuk kishin precedentë penalë.
Rasti i profesor Kibret, tashmë është kthyer në një tjetër përplasje mes autoriteteve federale dhe institucioneve akademike, duke ngritur pyetje mbi balancën mes zbatimit të ligjit të emigracionit dhe mbrojtjes së profesionistëve që punojnë e kontribuojnë në shoqërinë amerikane. tesheshi

