Marrëveshja e mbrojtjes mes Arabisë Saudite, Turqisë dhe Pakistanit mund të ketë “potencial shumë real”, por zbatimi i saj në situata konkrete krize mbetet ende i paqartë.
Harlan Ullman, kryetar i grupit Killowen dhe ish-oficer i lartë i marinës amerikane, tha për Al Jazeera se marrëveshja mund t’u ofrojë përfitime strategjike të tre vendeve.
Sipas tij, Pakistani ka nevojë për mbështetje financiare, ndërsa Arabia Saudite mund të përfitojë nga aftësitë ushtarake dhe potenciali parandalues i Pakistanit. Në të njëjtën kohë, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan synon një rol më të madh të Turqisë në botën myslimane, ndërsa vendi ka zhvilluar një industri të fuqishme të mbrojtjes.
Megjithatë, Ullman theksoi se marrëveshja përmban formulime që lënë hapësirë për interpretim. Ai ngriti pikëpyetje se si do të zbatohej pakti në rast të një konflikti mes Indisë dhe Pakistanit, një sulmi të Iranit ndaj Arabisë Saudite apo një sulmi nga Huthit në Jemen.
“Sulmi ndaj njërit duhet të konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve”, është parimi i përmendur, por sipas Ullman, përdorimi i shprehjes “duhet të konsiderohet” nuk nënkupton domosdoshmërisht një reagim automatik ushtarak.
Prandaj, mbetet për t’u parë se si do të funksionojë marrëveshja në praktikë dhe deri në çfarë mase Turqia dhe Pakistani do të përfshihen në rast të një krize që prek Arabinë Saudite. /mesazhi

