Ushtria e Jemenit njoftoi të shtunën se ka kryer një operacion ushtarak kundër objektivave dhe pajisjeve ushtarake të grupit Huthi, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i ushtrisë, koloneli Majid al-Nuzajli, tha në një deklaratë se operacioni u ndërmor në përgjigje të sulmeve të Huthive ndaj kampeve ushtarake në provincat Marib dhe Hadramaut.
Nuzajli tha se operacioni, që kishte në shënjestër elementë dhe pajisje ushtarake të Huthive, u krye përgjatë vijave të kontaktit në fronte dhe drejtime të shumta.
Duke i akuzuar Huthit se po e tërheqin Jemenin në konflikte rajonale në përputhje me agjenda të huaja, Nuzajli pretendoi se grupi ka dëmtuar rëndë ekonominë e Jemenit dhe ka përhapur përçarjet sektare.
Nuzajli theksoi se ushtria jemenase i mban Huthit dhe ata që qëndrojnë pas tyre plotësisht përgjegjës për çdo vazhdim të përshkallëzimit, duke shtuar se ushtria do të përgjigjet “pa hezitim” nëse sulmet e tyre vazhdojnë.
Grupi nuk ka bërë ende ndonjë deklaratë lidhur me zhvillimet.
Ministria e Mbrojtjes e Jemenit njoftoi të enjten se 17 ushtarë dhe oficerë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në një sulm me raketa balistike dhe dronë nga grupi Huthi, i cili mbështetet nga Irani, ndaj njësive të ushtrisë të dislokuara në provincat Marib dhe Hadramaut.
Luftimet në fronte të ndryshme mes forcave qeveritare dhe Huthive në Jemen kanë vijuar që nga fillimi i korrikut.

