Pakti ka shansin të shndërrohet në themelin e sigurisë kolektive të botës muslimane
Sa herë që bota perëndimore – akademike dhe politike – përballet me çdo lloj afrimi midis vendeve myslimane, refleksi i parë është gjithmonë i njëjtë: nxitja e ndarjes.
S’ka rëndësi nëse është një marrëveshje tregtare, një pakt ushtarak apo thjesht një deklaratë bashkëpunimi. Menjëherë nxirret nga arkivi termi “aleancë sunite” ose “bosht shiit”, sikur bota islame të ishte e dënuar të funksiononte vetëm mbi baza të ndarjeve fetare.
Dhe në fakt ky është një gabim analize por një projekt i ndërgjegjshëm. Perëndimi ka mësuar mirë nga historia e tij koloniale se një Lindje e Mesme e përçarë është një Lindje e Mesme e dobët, dhe një Lindje e Mesme e dobët mund të kontrollohet, të shfrytëzohet dhe të plaçkitet pa pengesa.
Pakti i nënshkruar dje midis Arabisë Saudite, Turqisë dhe Pakistanit nuk ka asgjë thelbësisht “sunite” përveçse në sytë e atyre që duan ta shohin kështu.
Ai është një përgjigje pragmatike ndaj një bote multipolare, ku asnjë vend i vetëm nuk mund të mbijetojë i izoluar. Arabia ka nevojë për teknologjinë dhe mbështetjen ushtarake të Turqisë.
Turqia ka nevojë për thellësinë strategjike dhe kapacitetin bërthamor të Pakistanit. Ndërsa Pakistani ka nevojë për mbështetjen financiare dhe diplomatike të Arabisë.
Këto janë interesa kombëtare, jo besime teologjike. Por retorika perëndimore këmbëngul t’i lexojë ato përmes lenteve të saj të ngushta, sepse kjo është mënyra e saj për të ruajtur narrativën e “konfliktit të pashmangshëm” brenda botës islame, dhe për të justifikuar praninë e saj ushtarake në rajon.
Dhe këtu vjen përgjegjësia e madhe e vetë vendeve myslimane. Ato nuk duhet të jenë pengje e kësaj loje. Ato duhet ta kuptojnë se ky pakt, në vend që të shihet si një aleancë kundër dikujt, duhet të konceptohet si bërthama e një aleance më të gjerë mbrojtëse të të gjithë botës islame.
Një aleancë që nuk përjashton Iranin, por që e fton atë në tryezë, jo si kundërshtar, por si partner i domosdoshëm në sigurinë e Gjirit, në stabilitetin e Afganistanit dhe në mbrojtjen e Palestinës. Ndarja i ka shërbyer vetëm armiqve, ndërsa bashkimi është armiku më i madh i tyre.
Ç’ duhet të bëjnë këto vende? Së pari, të zhvillojnë një gjuhë të re diplomatike, larg termave si “sunite” dhe “Shiite”. Të flasin për “siguri rajonale”, “bashkëpunim ekonomik”, “tranzicion energjetik” dhe “mbrojtje të përbashkët”. Kur ta bëjnë këtë, ata do ta heqin armën nga duart e atyre që duan t’i ndajnë.
Së dyti, ata duhet ta lidhin këtë aleancë me çështjen palestineze jo si një çështje të largët, por si gurin e themelit të legjitimitetit të tyre. Një aleancë islame që nuk e ka në qendër çlirimin e Palestinës, është e mangët.
Perëndimi dhe Izraeli kanë frikë nga një bllok musliman i bashkuar pikërisht sepse ai do ta vinte në tryezë çështjen e pushtimit me një forcë të paparë. Historia na mëson se perandoritë bien kur popujt e tyre kuptojnë se ndarja është një iluzion i krijuar për t’i mbajtur të dobët.
Pakti Arabi-Turqi-Pakistan është një shans i artë për të thyer këtë iluzion. Por ai do të mbetet vetëm një marrëveshje tjetër e pafrytshme nëse liderët tanë nuk e shohin përtej interesave të ngushta dhe nuk e konceptojnë atë si fillimin e një rilindjeje islame – jo në kuptimin e ngushtë ideologjik, por në kuptimin e një bote që vendos të flasë me një zë, të mbrojë njëri-tjetrin dhe të ndërtojë një të ardhme që nuk diktohet nga të tjerët. tesheshi

