RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Si papjekuria e liderëve po e dobëson faktorin shqiptar në rajon

si-papjekuria-e-lidereve-po-e-dobeson-faktorin-shqiptar-ne-rajon

Serbia fiton terren, shqiptarët konsumojnë energji në beteja të brendshme politike

Kur flasim për faktorin shqiptar në Ballkan, nuk jemi duke tjerrur nostalgji historike apo ëndrra të së shkuarës, por për një realitet të prekshëm gjeopolitik.

Shqiptarët janë një nga faktorët kryesorë të stabilitetit dhe zhvillimit në rajon. Fatkeqësisht, ky realitet po shembet para syve tanë, jo nga presioni i jashtëm, por nga papjekuria e brendshme e liderëve tanë.

Nga Prishtina në Tiranë e deri te Shkupi, klasa politike shqiptare duket e fiksuar pas interesave të veta të ngushta, duke e lënë kombin pa zë në një moment historik kur Serbia po lëviz me shpejtësi përpara në garën gjeoplitike dhe atë ekonomike.

Prej më shumë se dy vitesh, Kosova gjendet e zhytur në një spiralë krizash, duke mbajtur zgjedhje çdo gjashtë muaj. Tani, nga mungesa e konsensusit dhe interesat ngushtësisht partiake, ajo shkon drejt të njëjtit skenar.

Pasojat janë të dukshme: marrëdhënie të dobëta me Bashkimin Evropian, ngecje e plotë e procesit të integrimit dhe pezullim i bisedimeve me Serbinë për normalizim.

Madje, edhe dialogu strategjik me Uashingtonin është ngrirë, pikërisht në momentin kur Serbia, vetëm disa javë më parë, mbajti një raund bisedimesh me premtime të mëdha për investime dhe përfitime të tjera.

Ndërsa Beogradi po zë hapësirën boshe, liderët kosovarë janë të zënë të ruajnë karriget, duke e lënë shtetin në izolim. Ndërkohë, Shqipëria po përjeton një krizë të thellë politike dhe sociale.

Protestat e dy muajve të fundit kanë nxjerrë në pah cenueshmërinë e qeverisë Rama, pas skandaleve të njëpasnjëshme dhe dorëzimit të sovranitetit te interesa të dyshimta, fijet e të cilave të çojnë në Tel Aviv.

Pavarësisht propagandës qeveritare, ky realitet ka vënë në pikëpyetje perspektivën e anëtarësimit të shpejtë në BE. Ndërsa Mali i Zi, falë një qëndrimi më të pjekur dhe konsensual, po ecën dukshëm më përpara, Shqipëria rrezikon të mbetet në periferi të procesit, e izoluar dhe e pabesueshme për partnerët.

Por goditja më e rëndë për faktorin shqiptar vjen nga Maqedonia e Veriut. Ky shtet, i cili deri 20 vjet më parë ishte në krye të procesit integrues në rajon, sot është peng i mosmarrëveshjeve nacionaliste me Greqinë dhe Bullgarinë, por edhe i pasojave të autokracisë së Nikolla Gruevskit.

Rikthimi i partisë së tij në pushtet, ka sjellë një përkeqësim të dukshëm të të drejtave të shqiptarëve, të cilat, edhe pse të fituara në letër që në vitin 2001, po sfidohen sistematikisht.

Në këtë betejë për mbijetesë, klasa politike shqiptare atje vazhdon e përçarë nga interesat e ngushta, pa arritur të ngrihet në këmbë e bashkuar në mbrojtje të bashkëkombasve të tyre.

Kjo është tragjedia e madhe. Të zhytura në hallet e tyre ekzistenciale politike, Tirana dhe Prishtina nuk po gjejnë kohë as të merren formalisht me shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Liderët tanë po veprojnë sikur jemi ishuj, kur në realitet jemi pjesë e një tërësie gjeopolitike që po humbet terren. Papjekuria, egoizmi dhe mungesa e vizionit po e kthejnë faktorin shqiptar nga një aset i rajonit në një pengesë për stabilitet.

Serbia po luan shah, ndërsa ne po luajmë lojëra fëmijësh. Nëse nuk ka një zgjim të menjëhershëm dhe një aleancë strategjike midis Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, faktori shqiptar do të vazhdojë të dobësohet, dhe kjo në një kohë vendimesh të mëdha mbi të ardhmen e Ballkanit. tesheshi

Related posts

Kancelari Merz i dërgon letër Kurtit, kërkon avancim në dialogun me Serbinë

Kushtrim Guraj

Kurti në takim me Hargreaves, pajtohen për krijimin e shpejt të institucioneve të reja

Muhamet Ramadani

Serbi, aktakuzë penale kundër prindërve të të miturit që vrau 9 nxënës

Muhamet Ramadani