Republika e Shqipërisë ka reaguar lidhur me deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq lidhur me ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër, transmeton Anadolu.
Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, nëpërmjet një reagimi publik në rrjetin social amerikan “X”, ka shprehur shqetësim të thellë për deklaratën e Vuçiq për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër dhe përfshirjen e ekspertëve e institucioneve serbe në shqyrtimin e një mundësie të tillë.
“Ndryshimi i rrjedhës së një lumi që është pjesë e një sistemi ujor ndërkufitar nuk është çështje thjesht e brendshme apo një vendim që mund të merret në mënyrë të njëanshme, veçanërisht kur pasojat e tij prekin drejtpërdrejt territorin, mjedisin, sigurinë ujore, furnizimin me ujë dhe jetën e qytetarëve të një vendi tjetër”, shkroi Hoxha.
Ai tha se parimet e shfrytëzimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, detyrimi për të parandaluar, kontrolluar dhe reduktuar dëmin ndërkufitar, si dhe detyrimi për të bashkëpunuar, shkëmbyer informacion dhe konsultuar mbi masa që mund të kenë ndikime ndërkufitare, janë pjesë e standardeve të konsoliduara të së drejtës ndërkombëtare.
Hoxha kujtoi se Serbia është palë në Konventën e UNECE-s për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Rrjedhave Ujore Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare që nga viti 2010 dhe ka pranuar gjithashtu mekanizmat e saj për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
“Shqipëria pret që Serbia t’i respektojë plotësisht detyrimet e saj ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë. Çdo projekt apo masë që mund të ndikojë në rrjedhën, sasinë ose cilësinë e ujërave që prekin Kosovën duhet të trajtohet me transparencë, mbi bazën e të dhënave shkencore, me një vlerësim të plotë të ndikimeve ndërkufitare dhe përmes konsultimit me palën e prekur”, shkroi Hoxha.
Ai shtoi se uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik apo si mjet për të ndëshkuar një vend ose popullatë tjetër dhe se Shqipëria mbështet fuqimisht të drejtën e Kosovës për siguri, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e burimeve të saj ujore.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar të dielën se po e shqyrtojnë ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë, për shkak të siç tha, qëndrimit të autoriteteve të Prishtinës ndaj popullit serb në Kosovë.
Një gjë të tillë, Vuçiqi e kishte përmendur edhe para dy vjetësh teksa po e mohonte përfshirjen e Serbisë në shpërthimin që e dëmtoi kanalin e ujit Ibër Lepenci, në Varagë të Zubin Potokut.

