RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Vuçiç flet për luftë, Rama për miqësi: pse nuk po e sheh kryeministri ynë rrezikun?

vucic-flet-per-lufte,-rama-per-miqesi:-pse-nuk-po-e-sheh-kryeministri-yne-rrezikun?

Shqiptarët kanë nevojë për një lider që lexon kërcënimin, jo për një ndërmjetës që justifikon palën tjetër

Aleksandër Vuçiç flet për rrezikun e një lufte të madhe në Evropë, për një konflikt që nuk po mbyllet në Ukrainë dhe rikthen në të njëjtën tablo Kosovën, KFOR-in dhe ushtrinë serbe.

Përballë kësaj retorike, Edi Rama zgjedh një fjalor tjetër: “fqinjësi të mirë”, “miqtë tanë serbë”, “bashkëjetesë” dhe “Evropë”. Kontrasti nuk mund të ishte më i qartë sesa kaq.

Rama ka të drejtë të kundërshtojë narrativën serbe për “Shqipërinë e Madhe” dhe të mbrojë statusin e Kosovës. Por reagimi i tij është dukshëm i mangët aty ku situata bëhet vërtet serioze: te siguria.

Në vend që të japë një vlerësim politik për retorikën e Beogradit, kryeministri shqiptar preferon ironinë, leksionet mbi historinë dhe një diplomaci të butë që përfundon sërish te “miqtë tanë serbë”.

Po mirë: a është Vuçiç dakord me këtë “fqinjësi të mirë”? A ka folur Rama me të? Nëse po, kur? A i ka kërkuar shpjegime për deklaratat mbi Kosovën, KFOR-in dhe ushtrinë serbe? A ka marrë garanci?

Apo gjithçka duhet të relativizohet me argumentin se Vuçiçi thotë gjëra ekstreme “për konsum të brendshëm”? Pikërisht tek kjo e fundit Rama bëhet problematik.

Nëse kryeministri shqiptar e di se deklaratat e presidentit serb janë vetëm teatër për publikun e tij, atëherë duhet të shpjegojë mbi çfarë e bazon këtë siguri. Nëse nuk e di, atëherë duhet të sillet si kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s dhe të flasë seriozisht për rrezikun.

Dhe ajo që nuk mund të bëjë, është të kthehet në avokat të një lideri që vetë prodhon retorikën e tensionit. Rama nuk është kryeministër i Serbisë. Nuk është një burokrat i BE-së.

Kushtetuta e Shqipërisë e ngarkon me detyrimin për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve jashtë kufijve të Republikës. A po e bën Rama këtë siç duhet? Vështirë të thuhet që po.

Marrëdhëniet e tij me Albin Kurtin janë prej kohësh në nivelin më të keq, ndërsa zëra e propagandistë pranë pushtetit, duke marrë shkas edhe nga protestat në Shqipëri, e kanë shtuar retorikën kundër “kosovarëvë të Albinit”, deri në kërkesa që ata “të rrinë aty ku janë”, shoqëruar me kërcënime për “non grata”.

Ky nuk është kozmopolitizëm, por një formë e shëmtuar e ndarjes politike të shqiptarëve. Ndërkohë Rama shfaqet në rolin e një zyrtari kozmopolit të Brukselit, duke dhënë leksione për kufijtë, bashkëjetesën dhe kapërcimin e historisë problematike.

Por Shqipëria nuk ka nevojë për një kryeministër që i jep leksione rajonit, ndërsa mbyll sytë para realiteteve të tij politike.

Në këtë kuadër, nuk mund të anashkalohet as çështja amerikane. Pas nisjes së “dialogut strategjik” SHBA-Serbi në korrik, Beogradi e paraqiti procesin si një seri fitoresh diplomatike, ekonomike dhe gjeostrategjike.

Në Serbi iu dha një jehonë e madhe mediatike pikërisht për këtë arsye.

A ka ndryshuar diçka në qasjen amerikane ndaj çështjes së kufijve dhe ekuilibrave në Ballkan? A e ka analizuar Tirana këtë ndryshim, nëse ekziston? Dhe nëse jo, pse Rama nuk flet qartë?

Sepse shqiptarët nuk kanë nevojë për mjegull diplomatike.

Kur Vuçiçi flet për luftë, Kosovën, KFOR-in dhe ushtrinë serbe, ndërsa Rama përgjigjet me “miqtë tanë serbë” dhe “fqinjësinë e mirë”, pyetja nuk është më pse kryeministri heshti.

Pyetja është më e rëndë: a po e sheh Rama realisht atë që po ndodh në rajon, apo është aq i investuar në marrëdhënien e tij me Vuçiçin sa ka filluar ta shohë Ballkanin me sytë e Beogradit?

Shqiptarët e meritojnë një përgjigje. tesheshi

Related posts

Bullgaria asgjëson 1,4 milionë doza të vaksinës Covid-19

admin

Zelenskyy: Rusia të privohet nga të drejtat në OKB

admin

“Danimarka do t’i dhurojë Ukrainës të gjithë artilerinë e saj”

admin