Katari tha se negociatat midis Iranit dhe Omanit mbi marrëveshjet për Ngushticën e Hormuzit kanë arritur në “fazë të avancuar”, duke shprehur shpresën se rruga strategjike ujore do të rihapet “sa më shpejt të jetë e mundur”, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari tha se bisedimet janë në një “pikë kritike” dhe theksoi se Doha mbështet të gjitha përpjekjet që synojnë uljen e tensioneve në rajon.
“Si ndërmjetës, ne duam që Ngushtica e Hormuzit të rihapet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Ansari. Ai tha se Katari po i ndjek nga afër negociatat dhe mbetet mbështetës i përpjekjeve diplomatike për të arritur një marrëveshje.
Irani dhe Omani kanë negociuar marrëveshje ligjore dhe teknike për lundrimin nëpër ngushticë pasi trafiku detar u ndërpre pas konfliktit ushtarak midis Iranit dhe SHBA-së. Teherani ka thënë se zbatimi i çdo rihapjeje lidhet me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi atë që e përshkruan si shkelje të memorandumit të mirëkuptimit të qershorit nga SHBA-ja.

