Shembulli i Britanisë së periudhës mes dy luftërave tregon sa pak kohë ka mbetur për të ndryshuar kurs
Nga Christopher Carroll
Në gusht të vitit 1919, kabineti britanik i udhëzoi departamentet e mbrojtjes që të planifikonin mbi supozimin se perandoria nuk do të bënte asnjë luftë të madhe për dhjetë vjet. “Rregulli Dhjetëvjeçar”, i cili rinovohej çdo vit dhe u bë vetëpërsëritës në vitin 1928, ishte një mjet fiskal i veshur si gjykim strategjik. Ai i lejonte Thesarit britanik të mbante buxhete të balancuara, ndërsa arsenali që kishte fituar Luftën e Parë Botërore shpërbëhej në heshtje.
Pasi Japonia pushtoi Mançurinë në vitin 1931, rregulli u braktis përfundimisht një vit më pas. Kabineti shtoi një kusht: fundi i rregullit nuk duhej marrë si justifikim për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes. Britania shpenzoi më pas shtatë vjet duke zbuluar se paratë e ndara me vonesë nuk mund ta blejnë sërish kapacitetin industrial të dorëzuar më herët. Avionët Spitfire dhe stacionet e radarëve që e shpëtuan vendin në vitin 1940 u bënë gati me afërsisht dymbëdhjetë muaj rezervë.
Shtetet e Bashkuara kanë jetuar nën “Rregullin Dhjetëvjeçar” të tyre për tri dekada. Supozimi i pas Luftës së Ftohtë nuk u shkrua kurrë kaq troç, por i qeverisi prokurimet njësoj: luftërat do të ishin të shkurtra, saktësia do ta zëvendësonte masën, dhe linjat e municioneve mund të punonin me ritmet minimale të mbijetesës, sepse rezervat nuk do të shteroheshin kurrë seriozisht. Lufta me Iranin i ka bërë tani një auditim në kushte reale këtij supozimi, dhe auditimi ka dalë me notë ngelëse.
Shifrat nuk janë hamendësime të klasifikuara. Deri në pauzën e luftimeve të gjera në prill, Pentagoni kishte harxhuar të paktën gjysmën e raketave të tij përgjuese THAAD, gati gjysmën e raketave përgjuese Patriot dhe rreth 30 për qind të inventarit të raketave Tomahawk, sipas një analize të qendrës CSIS, të cilën e kanë konfirmuar zyrtarë të njohur me vlerësimet e brendshme të Departamentit të Mbrojtjes. Rezervat e raketave SM-3, SM-6 dhe JASSM ranë secila me rreth një të pestën. Me armëpushimin tashmë të shembur dhe sulmet e rifilluara, shpenzimet po rriten sërish. Është rimbushja aty ku historia errësohet.
Grafikët aktualë të dorëzimeve parashikojnë afërsisht 15 raketa të reja Tomahawk dhe 20 raketa të reja përgjuese Patriot në muaj, pa asnjë dorëzim THAAD të parashikuar për vitin 2026. Ish-kontrollorja e Pentagonit, Elaine McCusker, vlerëson se afatet e rimbushjes për shumicën e municioneve shkojnë nga dy deri në pesë vjet. Dhe, siç ka vënë në dukje gjenerali në pension John Ferrari, Kongresi nuk ka ndarë ende asnjë dollar të vetëm për të zëvendësuar qoftë edhe një raketë të vetme.
Britania e periudhës mes dy luftërave është analogjia më e afërt historike që kemi për një demokraci detare pikërisht në këtë pozitë, dhe paralelet meritojnë të merren seriozisht.
Së pari, Thesari britanik argumentoi gjatë gjithë viteve ’30 se vetë qëndrueshmëria ekonomike ishte “krahu i katërt i mbrojtjes”. Britania do ta fitonte një luftë të gjatë falë aftësisë së saj superiore për të duruar, ndaj asgjë në riarmatosje nuk duhej lejuar të rrezikonte buxhetin, vlerën e sterlinës apo tregtinë e eksportit. Argumenti nuk ishte i marrë. Ai ishte paraardhësi intelektual i çdo pretendimi modern se mobilizimi industrial duhet të presë radhën pas tavaneve buxhetore dhe rezolutave të përkohshme të financimit.
Por vendimtar është verdikti i historianit G.C. Peden në veprën Arms, Economics and British Strategy mbi fundin e kësaj doktrine. Deri në vitin 1939, situata ishte përmbysur: ishte strategjia ushtarake ajo që po përcaktonte politikën ekonomike, dhe jo e kundërta. Ishin ngjarjet, jo planifikuesit, ato që vendosën kur skadonte doktrina. Lufta me Iranin është pika e përmbysjes për Amerikën. Uashingtoni ende nuk e ka vënë re.
Së dyti, kur Britania e hapi më në fund rubinetin fiskal pas vitit 1936, problemi nuk ishin paratë, ishte kapaciteti industrial. Mungesa e punëtorëve të kualifikuar, e makinave vegla dhe politika qeveritare e mosndërhyrjes në tregtinë e zakonshme civile e mbytnin prodhimin pavarësisht fondeve të ndara; dhe politika e mbrojtjes së “punës si zakonisht” nuk u braktis deri në aneksimin e Austrisë nga Gjermania (Anschluss-i) në vitin 1938. Rima moderne është e përpiktë. Linja e prodhimit të raketave Tomahawk nxjerr rreth 90 raketa në vit, përballë një përmirësimi të premtuar prodhimi në 1 000. Kontratat ekzistuese për raketa me goditje të saktë i shtrijnë dorëzimet deri në vitin 2029.
Prodhimi i raketave përgjuese varet nga mineralet kritike si galiumi dhe germaniumi, zinxhirët e furnizimit të të cilëve kalojnë përmes Kinës. Uashingtoni mund ta katërfishonte buxhetin që nesër — raketat do të mbërrinin sërish në vitin 2029. Paratë lëvizin më shpejt se kapaciteti industrial, dhe pikërisht për këtë arsye vendimi për ta ndërtuar kapacitetin nuk mund ta presë luftën që e kërkon atë.
Së treti, Britania planifikoi për dy dekada të dërgonte flotën kryesore në Singapor në rast të një sulmi japonez. Ndërsa ndërtimet detare gjermane e italiane ia gërryenin marzhin Marinës Mbretërore, flota e premtuar u tkurr nga e mjaftueshme në simbolike. Nga mesi i vitit 1939, Admiraliteti po debatonte nëse mund të kurseheshin dy anije kryesore luftarake. Zotimi strategjik i mbijetoi kapacitetit të tejshtrirë që qëndronte pas tij.
Versioni i sotëm i kësaj historie shihet krejt hapur. Anije-mëmat, kaço-drejtuesit dhe rezervat e raketave përgjuese janë tërhequr nga Indo-Paqësori drejt Lindjes së Mesme, ndërsa administrata amerikane e ka pranuar këtë rrezik mbi një teori të shpallur: fitoje me vendosmëri luftën në të cilën ndodhesh, në vend që ta grumbullosh kapacitetin për një luftë që mund të mos vijë kurrë. Kjo është një teori e mbrojtshme. Është gjithashtu, thuajse fjalë për fjalë, e njëjta arsyetim që qeveritë britanike e aplikuan ndaj Japonisë në vitet 1920, kur lufta në Lindjen e Largët dukej mjaft e largët sa të shpërfillej. Lufta që mund të mos vijë kurrë ka zakon të vijë pikërisht sipas kalendarit të kundërshtarit që të ka vëzhguar teksa e harxhoje marzhin tënd.
Kjo na sjell te vetë kundërshtari. Këtë verë, imazhet satelitore zbuluan se Kina ka ndërtuar një kopje të plotë, tredimensionale, të një kaço-drejtuesi të klasit Arleigh Burke, në poligonin e provave me raketa të Ruoqiang-ut, në shkretëtirën Taklamakan — të detajuar deri te struktura e sipërme dhe profili radar i një anijeje të Flight IIA-s apo Flight III-t. Ajo qëndron mes maketesh të mëparshme anije-mëmash dhe shënjestrash lëvizëse mbi shina, e rrethuar nga mbeturinat e provave të mëparshme me raketa.
Qëllimi nuk është ndonjë mister. Ushtria Çlirimtare e Popullit (PLA) po e përsos “zinxhirin e vrasjes” pikërisht kundër atij klasi anijesh luftarake që gjatë këtij viti ka lëshuar raketa Tomahawk drejt Iranit. Pekini po i studion normat e harxhimit amerikan në kohë reale dhe po ushtrohet kundër platformave amerikane pa nxitim. Nuk ka imazh më domethënës të çastit që po jetojmë: Shtetet e Bashkuara po i zbrazin depot e tyre në Lindjen e Mesme, ndërsa Kina ndërton shënjestra në trajtën e anijeve që i mbajnë ato depo.
Një version i ndershëm i këtij argumenti duhet t’i përgjigjet kundërshtimit më të fortë, sepse edhe këtu Britania e periudhës mes dy luftërave na jep një përgjigje. Kritikët e politikës së pajtimit kanë këmbëngulur prej kohësh se Britania duhej të riarmatosej shumë vite më herët, por një riarmatosje më e hershme do të kishte blerë pajisje tashmë të vjetruara. Bombarduesi Fairey Battle, i porositur në sasi të mëdha për të përmbushur objektiva numerikë, dihej i papërshtatshëm për qëllimin e vet edhe teksa vazhdonte prodhimi. Avioni Spitfire dhe zinxhiri i radarëve nuk mund të ishin ndërtuar në vitin 1934. Analogjia moderne shkruhet vetë: ndoshta rritja e menjëhershme e prodhimit të raketave Tomahawk dhe Patriot fikson në vend municionet e djeshme, pikërisht në prag të një revolucioni dronësh dhe raketash hipersonike, dhe lëvizja më e mençur do të ishte pritja e brezit të ardhshëm.
Kundërshtimi meriton një përgjigje të drejtpërdrejtë. Thellësia e depove nuk është e njëjta gjë me trupin e një avioni. Raketat përgjuese, raketat lundruese dhe motorët me lëndë djegëse të ngurtë që qëndrojnë pas tyre kanë vlerë në pothuajse çdo skenar që mund t’i dalë përpara Shteteve të Bashkuara, dhe kapaciteti prodhues që i ndërton ato është i njëjti kapacitet që do të ndërtojë edhe pasardhësit e tyre. Gabimi i Britanisë nuk ishte ndërtimi i avionëve të gabuar në vitin 1934. Ishte mbajtja e një baze industriale kaq të hollë, saqë edhe avionët e duhur mbërritën me vetëm dymbëdhjetë muaj rezervë. Mësimi është të blesh kapacitet, jo thjesht inventar.
Britania e fitoi vitin e saj të mëshirës sepse Hitleri lëvizi sipas kalendarit të vet, jo të Britanisë, dhe sepse një forcë eksploruese mund të improvizohej ndërkohë që Kanali i Mançit i mbante frontet larg. Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë Kanal të Mançit në Paqësor dhe nuk duhet të planifikojnë duke u mbështetur te ndonjë periudhë mëshire e ngjashme. Recetat rrjedhin vetë nga diagnoza. Kongresi duhet t’i ndajë fondet për rimbushjen e municioneve tani, si çështja e parë në rend të ditës — jo si shtojcë e fondit shtesë të radhës.
Pentagoni duhet të lidhë kontrata për kapacitet, me zotime prokurimi shumëvjeçare që u japin furnitorëve të motorëve me lëndë djegëse të ngurtë dhe të sensorëve kërkues një arsye për të investuar — të njëjtën qëndrueshmëri kërkese që baza industriale e ndërtimit të anijeve e ka kërkuar prej një dekade. Dhe planifikuesit duhet ta trajtojnë bilancin e raketave përgjuese në Paqësorin Perëndimor si atë çka është në të vërtetë: një bilanc strategjik gjendjeje — sepse Pekini tashmë e trajton ashtu.
“Rregulli Dhjetëvjeçar” nuk u shfuqizua kurrë përmes argumentimit. E shfuqizoi agresioni japonez, dhe madje edhe atëherë Thesari britanik dha shtatë vjet betejë prapavajtëse kundër pasojave të kësaj. Lufta me Iranin e ka shfuqizuar tani versionin amerikan të këtij rregulli. Pyetja e vetme e hapur është nëse Uashingtoni do t’i shpenzojë shtatë vitet e ardhshme ashtu siç Londra i shpenzoi vitet 1932 deri 1939 — duke debatuar mbi përballueshmërinë financiare, ndërsa kundërshtari ndërtonte — apo do ta trajtojë këtë auditim në kohë reale si dhuratën që në të vërtetë është: një paralajmërim i dhënë ndërkohë që ka ende kohë për t’i vepruar.
Marrë nga The National Interest. Solli në shqip Tesheshi.com
Christopher Carroll është analist i politikave të ndërtimit të anijeve për Systems Planning and Analysis; pikëpamjet e shprehura janë të tijat. Ka përfunduar masterin në Politika Publike në Shkollën e Politikave Publike të Universitetit Pepperdine, ku kërkimi i tij diplomues shqyrtoi riindustrializimin e bazës amerikane të ndërtimit të anijeve. Shkrimet e tij janë botuar në RealClearDefense, AllSides dhe në botimet e Shoqatës Amerikane të Inxhinierëve Detarë.

