Këmbëngulja në një reformë e pashoqëruar me asnjë argument bindës
Detaje janë bërë me dije nga takimi i zhvilluar këtë të mërkurë mes kryeministrit Edi Rama dhe 20 kryebashkiakëve, në kuadër të reformës së re territoriale që PS ka propozuar për vendin dhe që ka hasur në shumë kundërshti, më shumti nga vetë socialistët e cenuar.
Takimi i zhvilluar në një lokal mes Kuçit dhe Qeparoit, ka qenë më tepër një takim informues për drejtuesit vendorë të bashkive që preken nga ky riorganizim i propozuar dhe janë shpjeguar hapat që do të ndiqen në ditët pasuese.
Pavarësisht kundërshtimeve të shprehura në disa prej bashkive që preken nga propozimi, protestave të banorëve dhe peticioneve nëpër këshillet bashkiake kundër shkrirjes së njësive vendore, qëndrimi i kryeministri Rama mësohet të ketë qenë i prerë.
“Reforma do të ecë përpara”, kështu mësohet t’u ketë thënë kreu i qeverisë kryebashkiakëve ku mes tyre kishte dhe nga ata që harta e re territoriale i prek drejtpërdrejt.
Nga informacionet që kanë rrjedhur për mediat nga kjo mbledhje me dyer të mbyllura, mësohet se kryeministri ka theksuar gjatë fjalës së tij se riorganizimi nuk duhet parë si një reformë që i shërben një bashkie të caktuar, por si një ndryshim që synon riorganizimin e qeverisjes vendore në të gjithë vendin.
“Është reformë për vendin, jo për një bashki”, mësohet të ketë nënvizuar Rama.
Kujtojmë se një reformë e tillë u ndërmorr që në nisje të qeverisjes, finalizuar në 2015-ën, por që në shumë tregues konsiderohet e dështuar. Ahere u shkrinë pothuajse të gjitha komunat. Në finale, zonat rurale dhe jo më pak qytetet e vogla, nisën të zbrazen nga banorët.
Ndërsa tani nuk ofrohet asnjë argument bindës se pse duhet kjo reformë dhe në finalë çfarë do të sjellë. Më e pakta, nuk merret asnjë model nga diku që të argumentohet me anë të referencës të një sukses gjetkë, te fqinjët ose më larg. /tesheshi

