Qyteti ku jo pak lahen hesapet në mes të ditës
Mbarë opinioni shqiptar pa si të ishte film një atentat në tentativë në Elbasan, ku autorit nuk i shkrepi arma teksa ia kishte vënë atë në kokë shënjestrës së tij.
Gjithçka dukej normale. Në një ambient lokali, një çift po pinin diçka, kur burri lë paksa gruan vetëm, nxjerr armën dhe tenton të vrasë dikë, por ia që pistoleta nuk shkrehu.
Njoftimi i Policisë sqaron:
“Pas marrjes së njoftimit, rreth orës 13:00, se në ambientet e jashtme të një lokali, në lagjen “28 Nëntori”,
Elbasan, një shtetas kishte tentuar të vriste me armë zjarri shtetasin E. K., 50 vjeç, shërbimet e Policisë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe veprimeve profesionale të kryera në kuadër të operacionit “Reagimi”, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar, shtetasit P. B., 52 vjeç. Njëkohësisht, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit pistoletë me të cilën autori tentoi të vriste 50-vjeçarin”, tha policia.
Fjala është për 52-vjeçarin Poli Boriçi, i cili tentoi të vriste me armë zjarri në mes të ditës në qytet shtetasin Ermir Kërtezi, 50 vjeç, të njohur edhe si Mir Bitoci.
Ende nuk dihen arsyet që e çuan 52-vjeçarin të ndërmarrë këtë veprim. /tesheshi

