RTV AHIRETI
FeaturedLajmeLajmetShqipëri

Zjarr në një hotel në Vlorë, mesin e të lënduarve 5 janë nga Kosova

zjarr-ne-nje-hotel-ne-vlore,-mesin-e-te-lenduarve-5-jane-nga-kosova

Një zjarr ka përfshirë një objekt në zonën e Lungomares në Vlorë, ku ndodhet edhe një hotel, e si pasojë e zjarrit gjashtë persona kanë marrë lëndime, përfshirë pesë shtetas të Kosovës.

Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë nisur fillimisht në lokalin në katin e parë dhe më pas janë përhapur në katin e dytë, ku ndodhej hoteli, si dhe në fasadën e ndërtesës.

Shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj, ka treguar se nga pacientët e pranuar pesë janë dërguar për trajtim në Tiranë. Ai ka thënë se personat e lënduar janë kryesisht nga Prishtina, Lipjani e një pacient nga Resheni. Ka thënë se një paciente ka marrë djegie në thuajse gjithë sipërfaqen e trupit e një tjetër në 50 për qind të sipërfaqes.

“Ishte një situatë shumë emergjente. Bëhej fjalë për 6 pacientë të dëmtuar nga zjarri, të cilët ndodheshin në katin e dytë. Tre prej tyre kishin djegie të rënda, ndërsa dy të tjerë ishin hedhur nga kati i dytë dhe kishin pësuar fraktura të kolonës. Dy prej pacientëve i nisëm drejt Qendrës së Traumës, pasi nuk kishin djegie, ndërsa tre të tjerë u dërguan në repartin e djegieve. I gjithë ekipi u njoftua dhe ishte në gatishmëri për të përballuar situatën. Pacientët kanë mbërritur rreth orës 4:30. Njëra prej pacienteve, e cila është në rrezik për jetën, kishte djegie në pothuajse 100% të trupit, ndërsa një tjetër rreth 50%. Bëhet fjalë për persona të moshave të reja, rreth 25-30 vjeç. Ata ishin nga Prishtina, Lipjani dhe njëri prej pacientëve nga Rrësheni”, tha Breshanaj.

Për t’u shpëtuar flakëve dhe tymit, një pjesë e personave që ndodheshin në objekt kanë dalë nga dritaret dhe ballkonet duke u hedhur prej tyre. Shërbimet e Policisë dhe strukturat përkatëse kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e rënies së zjarrit. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen.

E lidhur me rastin ka njoftuar edhe Policia e Vlorës. Ajo ka thënë se dyshohet se zjarri ishte aksidental.

“Nga hetimet paraprake, përfshirë këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, ka rezultuar se zjarri ka qenë aksidental. Sipas policisë, flakët dyshohet se janë shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të një frigoriferi, i cili ndodhej në ambientet e restorantit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e rrethanave të saj”, ka njoftuar Policia.

E një pushues nga Kosova, që ndodhej në hotel, ka rrëfyer momentet e panikut për “ABC News Albania”.

Ai ka treguar se është hedhur nga ballkoni bashkë me të fejuarën për t’i shpëtuar flakëve.

Related posts

Kina: Nuk përjashtohet një marrje me forcë e Tajvanit

admin

Familjet e skemës sociale në Kosovë jetojnë me 1 euro në ditë, kriza ekonomike ka “zhdukur” shtresën e mesme të popullësisë

admin

Nobelisti Muhamed Yunus do të udhëheqë qeverinë e përkohshme të Bangladeshit

admin