Macet e rrugës, të cilave shumë tregtarë në Stamboll u japin përshëndetjen e parë kur hapin dyqanet në mëngjes, që presin pasagjerët në skelat e trageteve, pushojnë në oborret e xhamive dhe prej vitesh ndajnë të njëjtin cep në rrugicat e ngushta të çarshive historike, janë ndër simbolet më të njohura të qytetit, raporton Anadolu.
Ndërsa në shumë qytete të botës kafshët e rrugës vazhdojnë të jenë një pjesë e padukshme e jetës urbane, në Stamboll macet prej shekujsh konsiderohen një prej simboleve të kulturës së lagjeve, solidaritetit dhe bashkëjetesës.
Macet e rrugës, të cilat banorët e lagjeve i thërrasin me emrat e tyre, i ushqejnë dhe i dërgojnë për trajtim kur sëmuren, zënë gjithashtu një vend të veçantë në kujtesën kulturore të qytetit.

Macet e rrugës vazhdojnë të jenë një prej elementeve të pandashme të identitetit historik dhe kulturor të Stambollit.
Fotoreporterët e Anadolu-s fotografuan macet e rrugës, të cilat janë shndërruar në një simbol të Stambollit, në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare të Maceve”, e cila festohet më 8 gusht që nga viti 2002 me iniciativën e Fondit Ndërkombëtar për Mirëqenien e Kafshëve (IFAW).
Macet, të cilat janë pranuar pothuajse si banorë të lagjeve, ndajnë të njëjtën jetë me njerëzit para dyqaneve, në skelat e trageteve, në portet e peshkatarëve, në oborret e xhamive historike, mes rafteve të librave të përdorur dhe dyqaneve të qilimave në çarshi dhe në sheshe.

Nga metroja te tezga, macet janë kudo në jetë
Një mace në Stamboll, e cila hipën në ashensor në Stacionin e Metrosë Çarshë në Umraniye dhe del në rrugë, përbën një prej shembujve të bashkëjetesës së ngushtë të maceve me njerëzit në qytet.
Tezga e shitësit ambulant me shikim të dëmtuar Mesut Sever në Uskudar është një prej pikave ku mblidhen macet. Macet që e shoqërojnë Severin gjatë gjithë ditës pushojnë përreth tezgës.
Macet që shëtisin në rrugicat shumëngjyrëshe të Kuzguncukut duke shijuar pamjen e Stambollit vazhdojnë të lënë gjurmë jo vetëm në rrugët e qytetit, por edhe në kujtesën e tij.


