RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Ushqimet e së ardhmes: mish i kultivuar në pemë?

ushqimet-e-se-ardhmes:-mish-i-kultivuar-ne-peme?

Shkencëtarët kanë prodhuar proteinën kryesore të mishit brenda bimëve të modifikuara gjenetikisht

Një proteinë e rëndësishme që gjendet në sasi të mëdha në mish mund të prodhohet në bimë dhe, në të ardhmen, të përdoret për të përmirësuar shijen e alternativave me bazë bimore.

Bëhet fjalë për mioglobinën, proteinën që lidhet me oksigjenin dhe që kontribuon në ngjyrën e kuqe të mishit, si edhe në shijen karakteristike me nuanca umami.

Një grup shkencëtarësh, ka arritur ta prodhojë këtë proteinë brenda kloroplasteve, organeleve të qelizave bimore ku zhvillohet fotosinteza. Për eksperimentin, studiuesit përdorën bimë duhani dhe marule të modifikuara gjenetikisht, duke i bërë ato të prodhojnë mioglobinë të ngjashme me atë që gjendet te kafshët.

Studimi, i publikuar në revistën “Frontiers in Plant Science”, lidhet me një fushë në zhvillim të bioteknologjisë ushqimore, të njohur si fermentimi preciz.

Kjo teknologji synon të prodhojë në organizma të ndryshëm proteina, yndyrna dhe molekula të tjera që zakonisht gjenden në mish, për t’i përdorur më pas në përmirësimin e produkteve me bazë bimore.

Deri tani, për prodhimin në shkallë të gjerë të proteinave me origjinë shtazore, shkencëtarët kanë përdorur kryesisht maja ose baktere, duke futur në to gjenet përgjegjëse për prodhimin e proteinave të caktuara. Por në këtë eksperiment, u zgjodhën bimët.

Dhe konkretisht duhani, sepse është një organizëm model i studiuar gjerësisht në gjenetikë dhe me një gjenom të njohur mirë, ndërsa marulja u përzgjodh sepse është një bimë e ngrënshme.

Studiuesit nga Imperial College London krijuan kopje të gjeneve të mioglobinës së derrit dhe lopës dhe i futën ato në kloroplastet e bimëve të vogla të duhanit dhe marules.

Për transferimin e gjeneve u përdor një metodë fizike e njohur si “gene gun”, e cila përdor grimca mikroskopike ari të mbuluara me gjenin që kërkohet të transferohet. Disa prej bimëve arritën ta integronin me sukses gjenin në kloroplastet e tyre dhe, pasi u rritën, e kaluan atë edhe te pasardhësit.

Rezultatet treguan se kloroplastet ishin shumë efikase në prodhimin e mioglobinës, madje dukshëm më efikase sesa bërthama e qelizës bimore, ku gjithashtu u testua futja e gjenit.

Prodhimi arriti rreth 800 miligramë mioglobinë për kilogram peshë të thatë te duhani dhe 810 miligramë për kilogram te marulja. Sa për krahasim, mishi i vërtetë përmban rreth 8,1 deri në 11,2 miligramë mioglobinë për gram peshë të thatë, pra rreth dhjetë herë më shumë.

Në pamje të parë, kjo sasi mund të duket e ulët. Megjithatë, studiuesit theksojnë se kultivimi i bimëve është shumë më efikas në përdorimin e burimeve sesa rritja e bagëtive.

Për këtë arsye, mioglobina e prodhuar nga bimët mund të arrijë në të ardhmen rendimente për hektar të krahasueshme, apo edhe më të larta, se ato të prodhimit blegtoral, ndërsa kërkon shumë më pak ujë dhe gjeneron më pak emetime të gazeve serrë.

Qëllimi afatgjatë është përdorimi i bimëve për të rritur prodhimin e proteinave të ngjashme me ato të mishit, të cilat më pas mund t’u shtohen alternativave bimore për t’u dhënë atyre shije dhe vlera ushqyese më të ngjashme me mishin tradicional.

Në këtë mënyrë, shkencëtarët synojnë jo vetëm të përmirësojnë cilësinë e këtyre produkteve, por edhe të ulin kostot e prodhimit të përbërësve që sot janë më të vështirë për t’u siguruar.

Marulja mund të ketë edhe një përdorim tjetër në të ardhmen. Meqenëse është një bimë që konsumohet drejtpërdrejt, teorikisht ajo mund të përdoret si ushqim i pasuruar me mioglobinë dhe hekur hemik, nëse një përdorim i tillë do të miratohej nga legjislacioni për sigurinë ushqimore.

“Shpresojmë që marulja e ngrënshme, e modifikuar për të prodhuar mioglobinë, të mund të shërbejë një ditë edhe si ushqim i biofortifikuar me hekur hemik”, tha Kyoko Morimoto, bashkëautore e studimit dhe përgjegjëse shkencore në një kompani bioteknologjie të specializuar në bimë, e cila ka financuar pjesërisht kërkimin.

Nëse kjo teknologji arrin të zhvillohet në shkallë industriale, bimët mund të bëhen një burim i ri për përbërësit që u japin alternativave të mishit shijen dhe karakteristikat që konsumatorët kërkojnë.

Për momentin, bëhet fjalë ende për një teknologji në fazë kërkimore, por eksperimenti tregon një rrugë të re ku bujqësia dhe bioteknologjia mund të bashkohen për të krijuar ushqimet e së ardhmes. tesheshi

Related posts

“Tërhiquni nga qëndrimet radikale që ju çojnë në humnerë”- BE për sanksione më të ashpra ndaj Iranit dhe paralajmëron: Shahu politik me goditje e kundërgoditje duhet të marrë fund, në të kundërt…

admin

Ish-kryeministri Hamdok: Kriza e Sudanit rrezikon të bëhet një makth për botën

admin

Presidentja Osmani autorizon dërgimin e FSK-së në Turqi

admin