RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kur një postim në rrjetet sociale mund të kushtojë 14 vite burg…

kur-nje-postim-ne-rrjetet-sociale-mund-te-kushtoje-14-vite-burg…

Kalvari i aktivistit hebre anti-sionist dhe pro-palestinez në Britani

Ka nisur sot në Britaninë e Madhe procesi ndaj Tony Greenstein, aktivistit socialist hebre 72-vjeçar nga Brighton, i njohur prej vitesh për qëndrimet e tij kundër pushtimit izraelit të territoreve palestineze.

Greenstein, bashkëthemelues i “Palestine Solidarity Campaign”, përballet me një akuzë jashtëzakonisht të rëndë për një veprim, që në thelb, nisi me një postim në rrjetet sociale: mbështetje për Hamasin, organizatë çlirimtare në Gaza por e ndaluar në Britani, me një dënim maksimal që mund të arrijë deri në 14 vite burg.

Historia është tronditëse pikërisht për disproporcionin mes deklaratës dhe pasojës së mundshme. Greenstein iu përgjigj një llogarie anonime që e akuzonte për antisemitizëm dhe, në mënyrë provokuese, shkroi se mbështeste Hamasin kundër ushtrisë izraelite.

Pesë javë më vonë, policia britanike kundër terrorizmit bastisi shtëpinë e tij në Brighton, sekuestroi kompjuterë, telefona dhe disqe, ndërsa ai u mbajt në burg për rreth nëntë orë.

Më pas u akuzua sipas nenit 12(1) të Terrorism Act 2000, që ndalon shprehjen e mbështetjes për organizata të shpallura “terroriste” nga qeveria britanike. Për Greenstein, kjo ishte një përgjigje e papërpjesëtueshme dhe “orwelliane”.

Dhe është pikërisht ky aspekt që e bën çështjen e tij shumë më të madhe se fati i një aktivisti politik. Sepse Greenstein nuk është akuzuar për një akt dhune. Nuk po gjykohet as për një sulm apo për përgatitjen e një atentati.

Në qendër të çështjes qëndron një deklaratë e bërë online dhe interpretimi që autoritetet i kanë dhënë asaj. Kjo ngre një shqetësim serioz: a mund të shndërrohet një mendim politik, sado provokues apo i diskutueshëm të jetë, në një akuzë për terrorizëm?

Pikërisht këtu qëndron edhe frika e mbështetësve të Greenstein. Pas 7 tetorit 2023, Britania e Madhe ka përjetuar një klimë gjithnjë e më të ashpër ndaj aktivistëve pro-palestinezë.

Sipas fushatës “Justice for Tony Greenstein”, më shumë se 2.700 persona janë arrestuar në Britani për shprehje mbështetjeje ndaj Palestine Action, pasi organizata u ndalua në vitin 2025.

Ndërkohë, gazetarë dhe aktivistë që merren me Izraelin dhe Gazën janë hetuar ose u janë kontrolluar banesat, në disa raste pa u ngritur akuza formale. Në këtë klimë, rasti “Greenstein” duket si një paralajmërim përtej një personi të vetëm.

Kur ligjet kundër terrorizmit përdoren për të ndjekur penalisht deklarata politike, kufiri mes mbrojtjes së sigurisë dhe frikësimit të kundërshtarëve bëhet gjithnjë e më i paqartë.

Çështja e tij tashmë nuk është vetëm për Greensteinin. Por për kufijtë e lirisë së shprehjes në Britaninë e Madhe dhe për pyetjen nëse një demokraci mund të mbrojë veten nga terrorizmi pa e kthyer vetë ligjin në instrument për të frenuar kundërshtimin politik. tesheshi

Related posts

OKB-ja kritikon Francën për moslejimin e sportisteve me shami gjatë Lojërave Olimpike

Muhamet Ramadani

“Irani skeptik ndaj propozimit të paqes nga SHBA-ja”

RTI

ShBA, së paku 48 të vdekur nga stuhia e acartë

admin