Të paktën 9 palestinezë janë vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur të mërkurën nga një sulm ajror izraelit në qytetin e Gazës.
Sipas burimeve mjekësore në Spitalin Shifa, në spital janë dërguar trupat e 9 të vrarëve, shumica prej tyre të karbonizuar dhe në gjendje të copëtuar. Të paktën 15 të plagosur janë pranuar gjithashtu në spital, shumica në gjendje të rëndë.
Ndërkohë, në kampin e refugjatëve Nuseirat, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, është vrarë një i ri pasi një sulm izraelit goditi motoçikletën e tij.
Viktima është identifikuar si Sobhi Sami Shahtout. Sipas burimeve lokale, ai është viktima e pestë nga familja e tij që është vrarë.
Burimet mjekësore bëjnë të ditur se që nga orët e para të mëngjesit, në spitalet e Rripit të Gazës janë dërguar trupat e 10 palestinezëve të vrarë, 9 prej tyre në veri të territorit dhe një në pjesën qendrore. /mesazhi

