Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka shprehur “alarm të thellë” lidhur me raportimet për postblloqe të reja të paligjshme të vendbanimeve izraelite dhe tenderë në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
“Sekretari i përgjithshëm është thellësisht i alarmuar nga raportimet për postblloqe të reja të paligjshme të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë tenderë të rinj, ndër të tjera edhe për zonën E1”, u tha gazetarëve zëdhënësi i shefit të përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric.
Dujarric paralajmëroi se zgjerimi i vendbanimeve në sektorin E1 do të “ndërpresë lidhjen mes pjesës veriore dhe asaj jugore të Bregut Perëndimor”, duke përbërë një “kërcënim ekzistencial” për zgjidhjen me dy shtete dhe integritetin territorial të tokave palestineze.
Dujarric theksoi se Guterres i bëri thirrje Izraelit të përmbahet nga zgjerimi i mëtejshëm dhe të respektojë të drejtën ndërkombëtare, duke iu referuar në mënyrë specifike një opinioni këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2024.
Paralajmërimi vjen pas një urdhri të fundit ushtarak nga autoritetet izraelite për konfiskimin e rreth 284 hektarëve (1.152 dunumë) tokë palestineze, duke e shpallur atë “pronë shtetërore”.

