Sipas një raporti nga Axios, që citon dy zyrtarë amerikanë, ushtria amerikane ka krijuar një korridor detar përmes Ngushticës së Hormuzit, i cili po mundëson që miliona fuçi naftë të dalin çdo ditë nga Gjiri, pavarësisht luftës me Iranin, transmeton Anadolu.
“Ka një sasi të jashtëzakonshme nafte që po del nga Ngushtica e Hormuzit”, tha për Axios presidenti amerikan, Donald Trump. Ai tha gjithashtu se Washingtoni aktualisht nuk po zhvillon negociata me Iranin.
Zyrtarët, sipas raportit, thanë se operacioni ka nisur prej disa javësh dhe ai mundëson kalimin e 15 deri në 20 cisternave përmes ngushticës çdo natë, duke përdorur një kanal jugor përgjatë bregdetit të Omanit.
Zyrtarët theksuan se rreth 10 milionë fuçi naftë në ditë po kalojnë aktualisht përmes ngushticës, rreth gjysma e nivelit para luftës.
Sipas raportit, forcat amerikane po ndihmojnë gjithashtu cisternat bosh të hyjnë në Gjirin Persik nga Deti Arabik, të ngarkojnë naftë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Kuvajti dhe të kthehen përmes ngushticës.
“Ne kemi kontrolluar korsinë jugore të Ngushticës së Hormuzit prej dy muajsh tashmë”, tha një zyrtar amerikan, sipas Axios, duke shtuar se Garda Revolucionare Islamike e Iranit “nuk e kontrollon ngushticën”.
Axios raportoi se operacioni koordinohet nga një grup pune i drejtuar nga selia e Divizionit të 82-të Ajror të ushtrisë amerikane në Fort Bragg, Karolina e Veriut.
Ushtria amerikane i organizon anijet në grupe të planifikuara hyrëse dhe dalëse dhe cakton pika kontrolli ku anijet duhet të raportojnë lëvizjet e tyre. Sipas zyrtarëve, avionë luftarakë të Forcave Ajrore të SHBA-së gjithashtu patrullojnë në ajër për të zbuluar sulme të mundshme me raketa dhe dronë.
Ata thanë se operacioni u bë i mundur pas një fushate dyjavore të Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), e cila dëmtoi aftësitë e Iranit për radar dhe mbikëqyrje detare.
Sipas raportit, forcat iraniane kanë vazhduar të godasin rrugët e transportit detar me dronë dhe raketa lundruese. Një zyrtar amerikan tha se forcat amerikane rrëzuan të hënën në mbrëmje tetë dronë iranianë dhe dy raketa lundruese.
Zyrtarët thanë se dërgesat e naftës përmes ngushticës kohët e fundit i janë afruar nivelit prej 10 milionë fuçish në ditë, ndërsa në disa net janë transportuar midis 15 dhe 20 milionë fuçi.
Ngushtica e Hormuzit është një rrugë kryesore për eksportet e naftës nga prodhuesit e Gjirit drejt tregjeve ndërkombëtare. Ndërprerjet e transportit detar përmes kësaj rruge kanë ndikuar në furnizimet globale me energji dhe çmimet e naftës.
Raporti vjen në një kohë tensionesh të shtuara mes Teheranit dhe Washingtonit pas muajsh konflikti.
Irani dhe SHBA-ja nënshkruan në qershor një memorandum mirëkuptimi që synonte t’i japë fund luftës dhe të hapë rrugën për një marrëveshje më të gjerë, por bisedimet që atëherë kanë ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi zbatimin e marrëveshjes dhe lundrimin përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ndërkohë, negociatat mes Iranit dhe Omanit lidhur me marrëveshjet për lundrimin përmes kësaj rruge strategjike ujore kanë vazhduar pa ndonjë përparim.

