Kanadaja ka dënuar vendimin e ushtrisë izraelite për të mos vazhduar me një hetim penal lidhur me vrasjen e shtatë punonjësve humanitarë të Kuzhinës Qendrore Botërore (World Central Kitchen), përfshirë shtetasin kanadez Jacob Flickinger, transmeton Anadolu.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Anita Anand, në rrjetin social amerikan X tha se vendimi ishte i “papranueshëm”, duke argumentuar se në sulm tashmë ishin identifikuar “dështime serioze”.
“Janë identifikuar dështime serioze në mënyrën se si u krye sulmi dhe mbyllja e çështjes pa përgjegjësi të mëtejshme i lë familjet e tyre pa përgjigjet që kanë kërkuar prej më shumë se dy vjetësh”, tha Anand.
Ajo shtoi se punonjësit humanitarë që shpërndajnë ushqime dhe ndihma të tjera jetike në zonat e konfliktit duhet të mbrohen.
“Kanadaja pret që e drejta ndërkombëtare humanitare të respektohet dhe do të vazhdojë të kërkojë një sqarim të plotë të asaj që ndodhi, si dhe drejtësi për shtatë punonjësit që u vranë dhe familjet e tyre”, theksoi ministrja.
Dje, ushtria izraelite tha se do të hetonte dy raste të dyshuara për krime lufte në Rripin e Gazës, ndërsa do të mbyllte tre hetime të tjera të profilit të lartë, përfshirë atë për sulmin ndaj Kuzhinës Qendrore Botërore në vitin 2024, ku u vranë shtatë punonjës humanitarë.
Edhe Kuzhina Qendrore Botërore dënoi versionin e prokurorit ushtarak izraelit lidhur me vdekjen e shtatë punonjësve të saj më 1 prill 2024.
“Nuk ka pasur kurrë asnjë justifikim apo arsyetim për sulmet dhe asgjë në këtë version nuk i justifikon ato. Vendimi nuk përputhet me të vërtetën e plotë dhe është thellësisht fyes”, thuhet në deklaratën e organizatës.

