Departamenti amerikan i Shtetit tha të enjten se e ka njoftuar zyrtarisht Kongresin për mbështetjen financiare për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) të planifikuar për Gazën, duke e përshkruar këtë hap si një nismë fillestare në mbështetje të planit të paqes për Lindjen e Mesme të presidentit Donald Trump, transmeton Anadolu.
“Më 30 korrik, Departamenti i Shtetit njoftoi Kongresin për mbështetjen financiare për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit”, tha për Anadolu një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, duke konfirmuar raportimet e mëparshme.
“Kjo mbështetje financiare është fillestare, ndërsa vazhdojmë të mbështesim punën e Bordit të Paqes”, tha zëdhënësi, pa specifikuar shumën e përfshirë.
Ndërkaq, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, tha në një deklaratë të dërguar me email se Washingtoni është “i përkushtuar ndaj zbatimit të plotë të planit historik 21-pikësh të paqes të presidentit, pjesë kyçe e të cilit është ISF-ja”.
“Falë Presidentit, përmes Bordit të Paqes është krijuar një koalicion i madh global dhe pengjet janë liruar. Jemi të inkurajuar nga përparimi i qëndrueshëm që po bën Bordi i Paqes”, tha ai.
Trump njoftoi më 31 korrik se Bordi i Paqes kishte arritur marrëveshje me Hamasin për “çarmatimin e plotë” të grupit dhe fraksioneve të tjera të armatosura në Gaza, ndërsa forcat izraelite do të tërhiqeshin në faza dhe ISF-ja do të vepronte së bashku me një forcë të re policore palestineze.
Por plani që atëherë është përballur me rezistencë nga Izraeli. Kryeministri Benjamin Netanyahu e kundërshtoi këtë muaj, duke i thënë kabinetit të tij se forcat izraelite nuk do të kryejnë asnjë tërheqje derisa Hamasi të çarmatoset plotësisht.
Hamasi ka thënë se mbetet i përkushtuar ndaj kësaj udhërrëfyese.
Këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner, udhëtoi këtë javë në rajon, ku u takua me zyrtarë të Hamasit në Egjipt, para se të zhvillonte bisedime me Netanyahun në Izrael së bashku me të dërguarin e Bordit të Paqes, Nikolay Mladenov.
Sipas raportimeve të mediave izraelite, Netanyahu dhe Kushner nuk u pajtuan lidhur me vazhdimin e vrasjeve izraelite në Gaza, ku Netanyahu këmbënguli se sulmet do të vazhdojnë, ndërsa Kushner shprehu kundërshtimin e tij.
Ndërmjetësuesit vazhdojnë përpjekjet për të avancuar zbatimin e marrëveshjes për armëpushim, e cila hyri në fuqi më 10 tetor 2025. Shkeljet izraelite të marrëveshjes kanë shkaktuar vdekjen e 1.283 palestinezëve dhe plagosjen e 4.248 të tjerëve, sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
Izraeli ka zhvilluar një luftë gjenocidale në Gaza që nga 8 tetori 2023, duke vrarë më shumë se 73.000 palestinezë dhe plagosur më shumë se 174.000 të tjerë, ndërsa ka shkatërruar rreth 90 për qind të infrastrukturës së territorit.

