RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Katari dënon hyrjen e shefit të mbrojtjes izraelite në jugperëndim të Sirisë

katari-denon-hyrjen-e-shefit-te-mbrojtjes-izraelite-ne-jugperendim-te-sirise

Katari dënoi hyrjen e ministrit izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, në territorin sirian, duke e cilësuar atë si shkelje flagrante të sovranitetit të Sirisë, transmeton Anadolu.

Ministria e Jashtme e Katarit e bëri këtë denoncim, pasi Katz hyri në zonën tampon siriane në jugperëndim të vendit, disa ditë pasi ministri i Jashtëm sirian, Asaad al-Shaibani, dhe drejtori i agjencisë së inteligjencës izraelite Mossad, Roman Gofman, u takuan në kryeqytetin jordanez Aman për të diskutuar përpjekjet për uljen e tensioneve mes dy vendeve.

“Shteti i Katarit dënon fuqishëm hyrjen e paligjshme të ministrit izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, në territorin sirian dhe shkeljen e kufijve ndërkombëtarë”, tha ministria në një deklaratë.

Ajo e cilësoi veprimin si “shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës Arabe Siriane”.

Doha i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar “të veprojë me shpejtësi për ta detyruar Izraelin të respektojë rezolutat e legjitimitetit ndërkombëtar, veçanërisht Marrëveshjen e Shkëputjes së Forcave të vitit 1974, dhe t’i japë fund agresionit të përsëritur ndaj territoreve siriane, për të parandaluar përshkallëzimin dhe tensionet në rajon”.

Gjatë vizitës, Katz tha se Izraeli “nuk do të largohet nga mali Hermon apo zona e sigurisë për sa kohë që ka kërcënime xhihadiste ndaj shtetit të Izraelit”, sipas zyrës së tij.

Ushtria izraelite mori kontrollin e zonës tampon në dhjetor 2024 – një veprim që Damasku e cilësoi si shkelje të Marrëveshjes së Shkëputjes së Forcave të vitit 1974 mes dy vendeve.

Izraeli ka pushtuar pjesën më të madhe të Lartësive të Golanit që nga viti 1967.

Pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Asadit në fund të vitit 2024, Izraeli e shpalli Marrëveshjen e Shkëputjes së Forcave të pavlefshme, duke marrë kontrollin e zonës tampon dhe të pozicioneve të tjera, përfshirë anën siriane të malit Hermon.

Që atëherë, Izraeli ka kryer inkursione të shpeshta në jug të Sirisë, veçanërisht në zonat rurale të provincave Daraa dhe Quneitra, ku ka arrestuar banorë dhe ka ngritur pika kontrolli ushtarake.

Related posts

Amerikani lirohet 19 vjet pas vrasjes që nuk e kishte kryer

admin

Osmani firmosi dekretin për shpërndarjen e Parlamentit, Instituti Demokratik i Kosovës: Gjykata Kushtetuese të shprehet para procesit zgjedhor

admin

Dyshohet se vrau foshnjën e saj gjatë lindjes/ Gjykata jep masën

admin