RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Faqja pro-izraelite publikon qindra raporte për të ndikuar në përgjigjet e chatbotëve me inteligjencë artificiale

faqja-pro-izraelite-publikon-qindra-raporte-per-te-ndikuar-ne-pergjigjet-e-chatboteve-me-inteligjence-artificiale

Një analizë e re ka zbuluar se një faqe interneti pro-izraelite, e paraqitur si një institut i rremë kërkimor, ka publikuar qindra raporte me synimin për të ndikuar në mënyrën se si chatbotët me inteligjencë artificiale paraqesin informacionet për Izraelin dhe luftën në Gaza, transmeton Anadolu.

Sipas një analize të publikuar të mërkurën nga The Guardian, faqja e internetit, e cila operon nën emrin e një instituti kërkimor që duket se nuk ekziston si subjekt juridik, publikoi më shumë se gjysmë milioni fjalë në vetëm nëntë ditë, në përpjekje për të ndikuar në përgjigjet e inteligjencës artificiale.

Faqja, nën emrin e sajuar “Hanover Institute for Public Policy”, publikoi 124 raporte me gjithsej mbi 560.000 fjalë nga 6 deri më 14 gusht, mesatarisht 4.500 fjalë për raport. Vetëm më 12 dhe 13 gusht, ajo publikoi 73 raporte me gjithsej afër 354.000 fjalë.

Faqja paraqet qëndrimet e Izraelit për çështje që përfshijnë torturimin e të burgosurve palestinezë, krimet izraelite të luftës dhe nëse Izraeli i ka lënë qëllimisht palestinezët në Gaza të vuajnë nga uria, duke i paraqitur në mënyrë të rreme të gjitha këto si kërkime “neutrale”.

Faqja nuk ka adresë fizike, staf të identifikuar apo emra autorësh, ndërsa “instituti” nuk duket se është i regjistruar si subjekt juridik në asnjë juridiksion.

The Guardian raportoi se faqja është pjesë e një fushate më të gjerë të financuar nga qeveria izraelite, që synon të ndikojë te chatbotët me inteligjencën artificiale, me dhjetëra milionë dollarë që raportohet se janë kanalizuar përmes palëve të treta, përfshirë kompaninë e reklamave Havas Media.

Pothuajse të gjithë titujt e faqes raportohet se janë formuluar si pyetje të ngjashme me ato që përdoruesit u drejtojnë chatbotëve me inteligjencë artificiale, përfshirë “A është antisionizmi antisemitizëm?” dhe “A po kryen Izraeli gjenocid në Gaza?”.

Raportet përdorin një stil akademik dhe citojnë burime, përfshirë agjencitë e OKB-së, Bankën Botërore dhe Amnesty International, raportohet në një mënyrë të përshtatur për të tërhequr chatbotët me inteligjencë artificiale.

Megjithatë, The Guardian zbuloi se raportet e paraqesin vazhdimisht informacionin në mënyra që zbusin kritikat ndaj Izraelit. Për shembull, referencat ndaj gjenocidit dhe aparteidit të Izraelit ndiqen vazhdimisht nga deklarata që theksojnë mungesën e një vendimi përfundimtar gjyqësor për këto pretendime.

Nick Cleveland-Stout, bashkëpunëtor kërkimor në Quincy Institute me seli në Washington, tha për The Guardian se faqja fillimisht dukej shumë profesionale, por se një shqyrtim më i hollësishëm tregoi se “shumë prej saj nuk ka kuptim”.

Cleveland-Stout tha se synimi më i rëndësishëm i fushatës mund të jetë ndikimi në të dhënat e përdorura për trajnimin e inteligjencës artificiale. Ai shtoi se fushata mund të ketë ndikim më të madh nëse përmbajtja e saj futet në arkiva të tilla si Common Crawl, të cilat mund të kontribuojnë në grupet e të dhënave për trajnimin e inteligjencës artificiale.

“Kur chatboti riprodhon narrativat me të cilat është trajnuar, ai as nuk do t’i citojë burimet. Nuk do të jeni në gjendje ta verifikoni atë”, tha Cleveland-Stout.

Ai shtoi se instituti “ka dhe do të vazhdojë të ketë sukses në ndikimin e përgjigjeve që japin chatbotët”.

“Por ata nuk po i ndryshojnë sondazhet, gjë që në fakt i intereson Izraelit”, tha ai, ndoshta duke iu referuar rritjes së pakënaqësisë së opinionit publik në mbarë botën ndaj politikave gjenocidale të Izraelit.

Related posts

Deri në pesë orë pritje për të hyrë në Kosovë nga Dheu i Bardhë

admin

Irani: Me SHBA-në janë zhvilluar “diskutime serioze”, ekziston një “rrugë e qartë” për një marrëveshje

Irfan Jahiu

Eurodeputeti katalunas kritikon ashpër Spanjën: Pavarësia e Kosovës është e ligjshme dhe e pakthyeshme

admin