Lëvizja duhet të mos i kthejë lëshimet taktike në braktisje të rezistencës
Sami Al-Arian, Middle East Eye
Disa momente në historinë e lëvizjeve çlirimtare kërkojnë guxim për të vepruar, të tjerat kërkojnë po aq guxim për të pritur. Operacioni i 7 tetorit 2023 e riktheu çështjen palestineze në qendër të politikës botërore dhe rrëzoi bindjen se konflikti mund të anashkalohej ose të mbahej nën kontroll pafundësisht.
Kjo nuk ndryshon përgjegjësinë për shkatërrimin e Gazës, vrasjen e civilëve dhe rrënimin e shtëpive, spitaleve, universiteteve e shkollave. Por kritika ndaj strategjisë së Hamasit nuk duhet të përdoret për të zhvendosur përgjegjësinë nga ata që kryen shkatërrimin dhe ata që i mbështetën.
Megjithatë, përmasat e katastrofës kërkojnë të shihet me kujdes edhe mënyra se si po menaxhohet politikisht lufta. Hamasi ndodhet përballë një prej tranzicioneve më të vështira të historisë së tij, me presion të madh për t’u çarmatosur, për të hequr dorë nga qeverisja e Gazës dhe për t’u integruar në një sistem të ri politik palestinez të projektuar kryesisht nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Dokumenti politik i Hamasit i vitit 2017, ishte një përpjekje për të paraqitur një qëndrim më pragmatik. Ai pranonte një shtet palestinez përgjatë kufijve të vitit 1967 si formulë të konsensusit kombëtar, por pa njohur legjitimitetin e shtetit izraelit dhe duke ruajtur të drejtën e rezistencës.
Hapja politike që pritej nuk erdhi. Përvoja e Fatahut duhet të shërbejë si paralajmërim. Për dekada, çdo lëshim u paraqit si një hap drejt marrëveshjes së ardhshme, por njohja, negociatat dhe bashkëpunimi i sigurisë nuk sollën shtetësinë.
Procesi i Oslos, i menduar si i përkohshëm, u shndërrua në një gjendje të përhershme, ndërsa vendbanimet izraelite u zgjeruan dhe sovraniteti palestinez u tkurr. Prandaj, Hamasi nuk duhet të dorëzojë një pozicion strategjik në këmbim të premtimeve për përfitime të ardhshme.
Edhe në negociata, lëshimet kanë vlerë vetëm kur shoqërohen me përfitime konkrete dhe të zbatueshme. Përndryshe, një lëshim i sotëm bëhet pikënisja për kërkesën e radhës.
Një mësim të rëndësishëm ofron edhe përvoja e Vietnamit në bisedimet e Parisit. Udhëheqja politike përcaktonte objektivat dhe “vijat e kuqe”, ndërsa negociatorë profesionistë zhvillonin bisedimet.
Hamasi mund të ndjekë të njëjtën logjikë, duke ua besuar negociatat ekspertëve, ndërsa vetë të ruajë kontrollin mbi objektivat strategjike.
Çështja më e ndjeshme mbetet çarmatimi. Propozimet për ruajtjen ose transferimin e armëve si pjesë e një marrëveshjeje janë përballur me kërkesën izraelite për dorëzim të plotë.
Por armët nuk janë thjesht një monedhë negociimi. Ato lidhen drejtpërdrejt me identitetin dhe qëllimin e një lëvizjeje rezistence.
Hamasi mund të heqë dorë nga qeverisja direkte e Gazës. Kjo madje mund ta çlirojë nga kontradikta mes administrimit të një popullsie nën rrethim dhe rolit të një organizate rezistence.
Por largimi nga qeverisja nuk është e njëjta gjë me braktisjen e rezistencës. Rreziku është që, i lodhur nga lufta dhe nën presionin e fuqive ndërkombëtare, Hamasi të shndërrohet gradualisht në një tjetër fraksion palestinez që kërkon vetëm një vend në një sistem politik të përcaktuar nga të tjerët.
Alternativa është durimi strategjik. Hamasi mund të zbatojë marrëveshjet e kufizuara që ka pranuar, pa negociuar nën presion çështje që i përkasin të gjithë popullit palestinez.
Balanca e fuqisë në rajon nuk është e përhershme dhe rrethanat mund të ndryshojnë. Zgjedhjet palestineze janë një instrument legjitim dhe institucionet kanë nevojë për rinovim. Por pjesëmarrja në zgjedhje nuk duhet të nënkuptojë braktisjen e identitetit të rezistencës.
Ka një kohë për të luftuar, një kohë për të negociuar dhe një kohë për të qëndruar në vend. Ndonjëherë kjo do të thotë të refuzosh lëshimet e pakthyeshme kur presioni është i përkohshëm.
Rreziku më i madh për Hamasin sot mund të mos jetë në fushën e betejës. Pasi ka mbijetuar një luftë shkatërruese, ai mund të përfundojë duke dorëzuar në tryezën e negociatave atë që Izraeli nuk arriti ta marrë me forcë. /tesheshi

