RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Abdixhiku: 6 deputetë të LDK-së nuk e mbështesin Sjediun për president

abdixhiku:-6-deputete-te-ldk-se-nuk-e-mbeshtesin-sjediun-per-president

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se gjashtë deputetë të kësaj partie kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.

Deklarata e Abdixhikut erdhi pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, ku u diskutua qëndrimi i deputetëve lidhur me kandidaturën e propozuar nga kjo parti.

Abdixhiku tha se kandidatura e Sejdiut ishte miratuar paraprakisht në mënyrë unanime nga Kryesia e LDK-së, pa asnjë votë kundër.

“Ne mbajtëm mbledhjen e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në këtë Kryesi kemi diskutuar jo vetëm propozimin e LDK-së për profesor doktor Bekim Sejdiun, por edhe gjithë angazhimin tonë politik. Në këtë drejtim, diskutimet ishin superlative për kandidatin”, tha Abdixhiku.

Ai theksoi se Sejdiu ishte vlerësuar brenda Kryesisë si profesionist dhe jurist me përvojë.

“Në mënyrë unanime, pa asnjë votë kundër, e gjithë Kryesia, e përbërë nga anëtarë të ndryshëm nga gjithë vendi i Kosovës, votoi për kandidaturën e profesor doktor Bekim Sejdiut”, deklaroi ai.

Megjithatë, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, Abdixhiku tha se gjashtë deputetë kanë bërë të ditur se nuk do ta respektojnë qëndrimin e Kryesisë për mbështetjen e Sejdiut.

“Menjëherë pas kësaj mbledhjeje, ne bëmë një deklaratë publike në të cilën i bëmë ftesë deputetëve të LDK-së që të na mbështesin këtë kandidaturë. Tani sapo mbajtëm edhe mbledhjen e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe, me këtë rast, për popullin e Kosovës dhe fatin e Republikës, me gjithë procesin që jemi, gjashtë deputetë të LDK-së kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, bëhet fjalë për Avdullah Hotin, Hykmete Bajramin, Arben Gashin, Armend Zemajn, Kujtim Shalën dhe Janina Ymerin.

Abdixhiku vlerësoi se mosmbështetja e kandidaturës së Sejdiut mund të ketë pasoja për procesin politik dhe për vendin.

“Këta kanë deklaruar se nuk e votojnë kandidatin e propozuar dhe, në këtë fazë, konsideroj se i bëjnë dëm të pariparueshëm gjithë procesit dhe, pashmangshëm e pa nevojë, e humbin një mundësi të jashtëzakonshme për Kosovën. E dërgojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme”, u shpreh ai.

Kreu i LDK-së tha se deputetët që kundërshtojnë vendimin e Kryesisë duhet të vendosin interesin e vendit mbi përplasjet e brendshme.

“Shumica prej këtyre figurave kanë përvojë të jashtëzakonshme politike në LDK dhe do të duhej të kapërcenin veten. Kjo s’ka qenë garë për mua, s’ka qenë betejë me mua. Beteja me mua ka përfunduar në Kuvendin e LDK-së. Kjo ka qenë betejë për Republikën e Kosovës”, tha Abdixhiku.

Ai e cilësoi Bekim Sejdiun si kandidat me integritet të lartë dhe tha se zgjedhja e tij do të mundësonte, sipas tij, ruajtjen e balancës institucionale.

“Kemi pasur një kandidat të shkëlqyeshëm, një njeri të propozuar nga LDK-ja, me integritet të jashtëzakonshëm, një njeri që do të siguronte balancën institucionale, që çdo tendencë të shkeljes së Kushtetutës, të thyerjes së demokracisë dhe të prishjes së balancës institucionale do ta mbronte edhe përballë pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje”, deklaroi ai.

Abdixhiku paralajmëroi gjithashtu se qëndrimi kundër kandidaturës së Sejdiut mund të ndikojë edhe në rezultatin e LDK-së në zgjedhjet e ardhshme.

“Konsideroj që, fatkeqësisht, pozicioni kundër vendimit të Kryesisë dhe kundër LDK-së është i dëmshëm fillimisht për Republikën e Kosovës, patjetër edhe për LDK-në”, tha ai.

I pyetur nëse gjashtë deputetët kanë kundërshtime ndaj figurës së Bekim Sejdiut apo ndaj bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, Abdixhiku tha se arsyet mund të jenë të tjera.

“Deklarimi është për figurën, por në thelb kam përshtypjen që është diçka tjetër. Duket se ka pretendime të jashtëzakonshme për të shtyrë agjenda që s’janë të LDK-së”, u shpreh ai.

Sa i përket mundësisë së masave disiplinore ndaj deputetëve, Abdixhiku tha se kjo çështje do të trajtohet në një fazë tjetër.

“Unë besoj që, e para punës, duhet të merremi me këtë fazë për natyrën disiplinore brenda LDK-së, sepse ajo do të vijë. Më shumë jam i brengosur për pasojat për Kosovën”, tha ai.

Ai shtoi se shqetësimi kryesor mbetet mundësia që vendi të shkojë sërish në zgjedhje.

“Të shkaktohen edhe një herë zgjedhje, kur kemi marrëveshje politike, kur kemi kandidaturë serioze, të mbarë, të mirë, me respekt që është popullor, kur e kemi kapërcyer ne veten, s’kemi ardhur askund, asgjë prej vetes, vetëm që Kosova të ketë president dinjitoz, dhe për beteja të paarsyeshme personale të rrënohet gjithë kjo marrëveshje, unë jam i brengosur për pasojat për Republikën”, deklaroi Abdixhiku.

Në fund, ai tha se ata që nuk respektojnë vendimet e organeve të partisë nuk duhet ta konsiderojnë veten përfaqësues të LDK-së.

“Secili njeri që s’e respekton vendimin e Kryesisë dhe të organeve demokratike të Kosovës, më së paku duhet të ndihet përfaqësues i LDK-së”, tha Abdixhiku.

Sa i përket të ardhmes së gjashtë deputetëve në Grupin Parlamentar të LDK-së, Abdixhiku tha se për këtë do të merren vendime në një moment tjetër.

“Do të merremi me vendime, por kjo s’është tema. Vërtet s’është temë e rëndësishme tani për zhvillimet në vend”, tha ai.

Abdixhiku tha se edhe në të kaluarën, kur nuk është pajtuar me vendimet e shumicës në parti, ka zgjedhur t’i respektojë ato.

“Kur s’jam pajtuar me partinë time ose me veprimet e shumicës së asaj partie, nuk kam qenë pengesë, nuk kam shkaktuar zgjedhje të reja dhe s’kam vendosur të votoj kundër vendimit të shumicës. Një gjë e tillë mund të bëhet, por secili kemi marrë vota me LDK-në”, tha ai.

Në fund të konferencës, Abdixhiku kërkoi falje nga qytetarët për situatën e krijuar politike.

Related posts

Zgjedhjet në Iran, VOA: Reagime dhe shpresë në Teheran pas fitores së kandidatit të moderuar për president

admin

BE i bën thirrje Rusisë të “kthejë fëmijët ukrainas”

Muhamet Ramadani

Meksika konfirmon ndalimin e dërgesave të naftës në Kubë

Kushtrim Guraj