RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kërcënimet patetike të Ramës dhe ngërdheshja e një deputeti…

kercenimet-patetike-te-rames-dhe-ngerdheshja-e-nje-deputeti…

Pas 13 vitesh në pushtet, “zbuloi” papritur dështimet e shtetit që vetë ka drejtuar

Fjalimi i sotëm kilometrik i Edi Ramës ngjante çuditërisht me një skenë të largët të korrikut 1990. Atëherë Ramiz Alia, i sikletosur nga vërshimi i mijëra shqiptarëve drejt ambasadave të huaja, përpiqej të gjente fajtorët kudo tjetër përveçse te sistemi që drejtonte prej dekadash.

Madje tallej hapur me anëtarët e Byrosë Politike, duke u kujtuar se askush prej tyre nuk dinte anglisht dhe se nuk e kishin haberin se si shkonin punët në vend.

Sot, 36 vjet më vonë, historia nuk përsëritet, por ndonjëherë të jep përshtypjen se tallet. Rama qëndroi përballë deputetëve të tij dhe tjerri gjatë një narrativë sikur sapo kishte marrë çelësat e Kryeministrisë.

Pas 13 vitesh në pushtet, ai “zbuloi” papritur se administrata është labirint, se shteti nuk mban mend çfarë premton, se njohja vlen më shumë se merita dhe se deputetët ndërhyjnë për të futur njerëz në punë.

Me pak fjalë, kryeministri i vendit zbuloi Shqipërinë. Por momenti më domethënës nuk ishte as “Pasqyra Albania”, as “Prania Besnike”, as “Besa” me akronime dhe busulla morale.

Ishte ngërdheshja e një deputeti socialist në sallë. Një reagim spontan që e nervozoi aq shumë Ramën, saqë iu kthye me paralajmërime për “kohë të këqija” dhe për një të shtyrë që sipas tij, mund ta bëjë njeriun t’i lutet Zotit.

Pra dhe të vetët duket se nuk arrijnë më ta marrin seriozisht koreografinë e përhershme të kryeministrit. Kur pas 13 vitesh pushtet del dhe premton se do të ndalosh atë që ke lejuar për 13 vjet, rrezikon që njerëzit të qeshin me ty.

Dhe kur njerëzit qeshin, duket se Ramës nuk i mbetet gjë tjetër veçse kërcënimi. Kërcënime për deputetët. Sulme ndaj mediave dhe portaleve kritike ndaj tij.

Paralajmërime për një “radar dixhital” që do të ndjekë dinamikat e botës online, por që në një vend ku pushteti ka pasur gjithmonë problem me kritikën, tingëllon më shumë si një premtim për mbikëqyrje dhe presion sesa për transparencë.

Ndërkohë, në të njëjtin fjalim, Rama siluroi edhe një pjesë të drejtësisë së re, dikur “arritja më e madhe” e 13 viteve të qeverisjes socialiste. KLGJ dhe KLP u shpallën “fytyra e dështimit”, një pranim i vonuar se reforma e lavdëruar për vite me radhë nuk është aq e suksesshme sa na është shitur.

Edhe “Pasqyra Albania” tingëllon si një pranim tjetër dështimi. Në fund të fundit, nëse duhet një platformë e re për të bërë atë që nuk e bëri dot Platforma e Bashkëqeverisjes dhe e-Albania, atëherë dikush duhet të shpjegojë se ku përfunduan premtimet dhe dhjetëra milionat e shpenzuara deri më sot.

Por Rama nuk duket i shqetësuar nga pasqyra. Ai vazhdon të ndërrojë pasqyrat. Problemi është se këtë herë, në njërën prej tyre, duket se pa një deputet duke qeshur. Dhe kjo e nervozoi më shumë se çdo kritikë e opozitës. tesheshi

Related posts

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë: Qëndrimi i SDF-së kërcënon integritetin territorial dhe stabilitetin e Sirisë

admin

Grupi britanik “Massive Attack”: Policia e Singaporit ndaloi anëtarët tanë pas shfaqjes së flamurit palestinez

Irfan Jahiu

FAZ-i publikon dëshmi nga revistat serbe: Vuçiqi krenohej me pjesëmarrjen në luftën e Sarajevës

Hevzi