Dy palestinezë, përfshirë një të moshuar, u vranë dhe dy të tjerë u plagosën sot nga zjarri izraelit në Rripin e Gazës, duke shënuar një tjetër shkelje të marrëveshjes në fuqi për armëpushim, transmeton Anadolu.
Një burim mjekësor tha se një 69-vjeçar vdiq nga plagët e marra nga të shtënat izraelite që shënjestruan çadrat e personave të zhvendosur në jugperëndim të Khan Younisit, në jug të Gazës. Një tjetër palestinez u plagos në sulm.
Një tjetër palestinez vdiq nga plagët e marra në një sulm me dron izraelit në perëndim të Khan Younisit të premten, tha burimi.
Në veri të Gazës, një palestinez u plagos nga bombardimet izraelite me artileri që shënjestruan një shtëpi në lagjen Al-Faluja, në perëndim të kampit të refugjatëve Jabalia, tha një tjetër burim mjekësor.
Në Gazën qendrore, dëshmitarë okularë dhe burime lokale i thanë Anadolu-së se disa automjete ushtarake izraelite përparuan në mënyrë të kufizuar në zonën Abu al-Ajin, në lindje të Deir al-Balahut, mes të shtënave të dendura dhe bombardimeve me artileri.
Burimet thanë se automjetet izraelite, përfshirë një buldozer, përparuan disa dhjetëra metra në perëndim të “Vijës së Verdhë” në zonë dhe kryen operacione me buldozerë në tokat e banorëve.
Në një zhvillim të ndërlidhur, Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha të martën se gjenocidi izraelit ka shkaktuar 5.000 amputime, 300 raste të dëmtimeve neurologjike dhe të shtyllës kurrizore si dhe ka lënë 10 mijë pacientë në nevojë për rehabilitim intensiv dhe afatgjatë.
Në një deklaratë me rastin e Ditës Botërore të Fizioterapisë, ministria tha se shërbimet e fizioterapisë dhe rehabilitimit mjekësor në Gaza janë bërë “një vijë jetike vendimtare” dhe “vija e parë e mbrojtjes” kundër paaftësive të përhershme te mijëra palestinezë të plagosur.
Pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor 2025, ushtria izraelite ka vrarë 1.352 palestinezë dhe ka plagosur 4.511 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
Ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 73 mijë palestinezë dhe ka plagosur mbi 174 mijë të tjerë në një luftë brutale që ka shkatërruar ose dëmtuar pjesën më të madhe të infrastrukturës civile të Gazës.

