Nikaragua i kërkoi sot Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) që të rrëzojë përpjekjen e Gjermanisë për të ndalur një çështje që akuzon Berlinin se po lehtëson gjenocidin në Gaza përmes mbështetjes së tij politike, financiare dhe ushtarake për Izraelin, transmeton Anadolu.
Duke paraqitur argumentet e saj në Pallatin e Paqes në Hagë, Nikaragua theksoi se procedimet kanë të bëjnë me sjelljen e vetë Gjermanisë dhe mund të vazhdojnë pa pjesëmarrjen e Izraelit në këtë çështje. Përfaqësuesi i Nikaraguas, Carlos Arguello Gomez tha se Managua po kërkon një vendim vetëm kundër Gjermanisë dhe argumentoi se çdo vendim do të jetë i detyrueshëm vetëm për Nikaraguan dhe Gjermaninë.
Berlini argumentoi të hënën se gjykata nuk mund të gjykojë pretendimet e Nikaraguas pa përcaktuar fillimisht nëse veprimet e Izraelit në Gaza janë të paligjshme. Meqenëse Izraeli nuk është palë në këtë çështje dhe nuk ka dhënë pëlqimin për procedimet, Gjermania tha se çështja duhet të hidhet poshtë përpara se gjykata të arrijë në shqyrtimin e themelit të saj.
Gomez hodhi poshtë këtij pozicion, duke argumentuar se sjellja e Izraelit është dokumentuar gjerësisht tashmë nga GJND-ja dhe organet e tjera ndërkombëtare dhe mund të merret parasysh si çështje faktike pa e bërë Izraelin palë të domosdoshme.
Ai tha se çështja ka të bëjë me shkeljet e pretenduara gjermane të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë detyrimet që lidhen me parandalimin e gjenocidit, të drejtën ndërkombëtare humanitare, vetëvendosjen e palestinezëve, diskriminimin racor, segregacionin dhe aparteidin.
“Kështu që skema e gjenocidit nuk është e re, por ajo që është e re në çështjen para nesh është mënyra se si po kryhet publikisht dhe transmetohet drejtpërdrejt”, tha Gomez.
Sipas tij, Gjermania nuk mund të mos kishte dijeni për sjelljen e Izraelit për shkak të marrëdhënieve të ngushta politike, tregtare dhe ushtarake midis dy vendeve. “Gjermania është furnizuesi i dytë më i madh i armëve për Izraelin dhe partneri i dytë më i madh tregtar”, tha ai.
Gomez akuzoi Gjermaninë se ka vazhduar të autorizojë eksportet ushtarake pavarësisht kujtesës së GJND-së të prillit 2024 se shtetet që furnizojnë me armë palët në një konflikt të armatosur duhet të përmbushin detyrimet e tyre ndërkombëtare.
“Nëse Gjermania është aq e sigurt në ligjshmërinë dhe moralin e raison d’etre që gjoja duhet të frymëzojë marrëdhëniet e saj me Izraelin, atëherë ajo duhet të mirëpresë mundësinë e krijuar nga kjo çështje për të shpjeguar dhe arsyetuar arsyet e saj”, tha Arguello.
– Më shumë se 1.5 miliardë euro në autorizime eksporti
Daniel Muller, një anëtar i ekipit ligjor të Nikaraguas, i tha gjykatës se Gjermania ka autorizuar më shumë se 1.5 miliardë euro (1.74 miliardë dollarë) në eksporte ushtarake për Izraelin që nga 7 tetori 2023. “Licencat e eksportit për pajisje ushtarake dhe armë lufte të lëshuara në tetor 2023, dhe ato që kanë pasuar pa ndërprerje që atëherë, janë fakte në zemër të kësaj mosmarrëveshjeje”, deklaroi ai.
Sipas shifrave të paraqitura nga Muller, Gjermania autorizoi eksporte të pajisjeve ushtarake me vlerë mbi 251 milionë euro midis 7 tetorit 2023 dhe seancave të masave të përkohshme të GJND-së në prill 2024.
Ai tha se Berlini miratoi afërsisht 146 milionë euro në eksporte midis tetorit dhe dhjetorit 2024, gati 90 milionë euro në gjysmën e parë të 2025 dhe rreth 115 milionë euro në gjysmën e dytë të atij viti. Gjermania autorizoi 63.6 milionë euro në eksporte ushtarake midis janarit dhe marsit të këtij viti, shtoi Muller.
Në periudhën prill-qershor 2026, vlera e eksporteve të miratuara u rrit në 735.8 milionë euro, tha ai duke cituar informacionin e publikuar nga qeveria federale gjermane një ditë para seancës dëgjimore. Muller tha se kjo përfshin 508.8 milionë euro në licenca për pajisje të kategorizuara si armë lufte.
Ai tha se licencat mbulojnë një projekt të madh të mbrojtjes detare, për të cilin ai tregoi se me sa duket ka të bëjë me një nëndetëse, si dhe municione, predha, lëndë shtytëse, lëndë ndezëse dhe komponentë të tjerë ushtarakë. Muller tha se disa komponentë të miratuar mund të përdoren në automjete ushtarake tokësore, përfshirë tanket “Merkava” të dislokuara nga Izraeli në Gaza dhe në Bregun Perëndimor të okupuar.
– Çështja e Nikaraguas kundër Gjermanisë
Nikaragua ngriti padi kundër Gjermanisë në GJND më 1 mars 2024, duke akuzuar Berlinin se “po lehtëson kryerjen e gjenocidit” duke i siguruar Izraelit mbështetje politike, financiare dhe ushtarake. Gjatë seancave dëgjimore në prill 2024, Nikaragua argumentoi se Gjermania ishte furnizuesi i dytë më i madh i armëve për Izraelin dhe nuk mund të mos kishte dijeni se municionet po përdoreshin në gjenocidin në Gaza.
Ajo vuri në dukje se Gjermania kishte dërguar predha tankesh, dronë dhe municione luftanijesh në Izrael duke prerë ndihmat për palestinezët. Gjermania hodhi poshtë akuzat se ka mbështetur gjenocidin e Izraelit në Gaza, duke argumentuar se eksportet e saj të armëve janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe i nënshtrohen rishikimeve rigoroze të licencimit.
GJND-ja vendosi se nuk kishte shkallë të mjaftueshme urgjence për të justifikuar urdhërimin e masave të përkohshme, por tërhoqi vëmendjen te privimi i zgjatur dhe i përhapur i ushqimit dhe nevojave të tjera bazë midis civilëve. Vendimi i gjykatës theksoi se shtetet që furnizojnë me armë një zonë ku po kryhen gjenocid dhe krime të tjera lufte mund të mbahen potencialisht përgjegjëse për ato krime.
Pas heqjes së kufizimeve të pjesshme ndaj eksporteve të armëve drejt Izraelit, i cili përballet me akuza për kryerjen e gjenocidit në Gaza, qeveria gjermane miratoi dërgimin e rreth 800 milionë eurove (929 milionë dollarë) pajisje ushtarake në këtë vend.
Pas refuzimit të GJND-së ndaj kërkesës së Nikaraguas për masa të përkohshme, procedimet do të vazhdojnë deri në dhënien e një vendimi përfundimtar mbi themelin e pretendimeve të Nikaraguas.

