Kryeministri nacionalist Janez Janša, ndryshoi kursin e politikës së jashtme ndaj Izraelit
Mijëra persona protestuan në kryeqytetin e Sllovenisë, Lubjanë, kundër hapjes së ambasadës së parë të Izraelit në këtë vend anëtar të Bashkimit Evropian.
Protesta u zhvillua të mërkurën, në të njëjtën ditë kur kryeministri nacionalist Janez Janša çoi përpara një ndryshim të rëndësishëm në marrëdhëniet diplomatike me Izraelin.
Ky është një përmbysje e politikës së ndjekur nga paraardhësi i tij, Robert Golob, qeveria e të cilit e kishte cilësuar luftën izraelite në Gaza si “gjenocid”.
Në Lubjanë, protestuesit marshuan pranë hotelit ku po zhvillohej ceremonia e inaugurimit të ambasadës, duke mbajtur pankarta me mbishkrimet “Qëndrojmë së bashku për paqen dhe Palestinën” dhe “Gjenocidi nuk është vetëmbrojtje”.
Urska Breznik, 48 vjeçe, historiane arti, e cilësoi qeverinë e Janšës si një qeveri “bashkëpunese me gjenocidin”. Një tjetër protestuese, Melina Sahernik, tha për AFP-në se ky zhvillim “e bën Slloveninë të duket shumë keq në sytë e botës ”.
Një sondazh i publikuar në qershor nga gazeta “Delo”, tregon se mbi 56 për qind e sllovenëve kundërshtonin afrimin e marrëdhënieve me Izraelin, ndërsa vetëm 14 për qind e mbështesnin atë.
Analisti politik slloven Andraz Zorko, tha për Associated Press se ndryshimi i politikës së qeverisë nuk përputhet me atë që ai e konsideron si qëndrimin mbizotërues të opinionit publik në vendin me rreth 2 milionë banorë.
“Shumica e publikut slloven është ose kundër Izraelit, ose mban një qëndrim neutral”, tha ai.
Ndërkohë, Lëvizja për Liri, e drejtuar nga ish-kryeministri Golob, iu bashkua të mërkurën partisë së Majtë për të paraqitur në parlament një kërkesë për shkarkimin e Janša-s.
Partitë opozitare e lidhën nismën kryesisht me politikën e tij të jashtme, për të cilën thanë se u shërben ekskluzivisht interesave të Izraelit.
Opozita kërkoi gjithashtu shkarkimin e ministrit të Jashtëm Tone Kajzer dhe e përshkroi hapjen e ambasadës si një “kthim nderi” ndaj Izraelit, duke pretenduar se Tel Avivi kishte mbështetur Janšën gjatë zgjedhjeve të marsit.
Gjatë qeverisjes së Golob, Sllovenia njohu shtetin palestinez, vendosi embargo armësh ndaj Izraelit, ndaloi importet nga vendbanimet izraelite të paligjshme në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe ndaloi hyrjen e zyrtarëve të lartë izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Menjëherë pasi mori detyrën në korrik, Janša hoqi flamurin palestinez nga godina e qeverisë sllovene, ku ishte vendosur krahas flamurit slloven, atij të BE-së dhe Ukrainës. Qeveria e tij më pas anuloi masat e marra ndaj Izraelit.
Gjatë ceremonisë së hapjes së ambasadës, ministri i Jashtëm Kajzer tha se ngjarja duhet të shënojë “fillimin e një periudhe dialogu më të madh, bashkëpunimi më të fortë dhe, mbi të gjitha, rezultate më konkrete në të mirë të popujve tanë”.
Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar, i cili udhëtoi drejt Sllovenisë për ceremoninë, e cilësoi hapjen e ambasadës si një “ditë historike”. Ai falënderoi qeverinë sllovene dhe Janšën për miqësinë ndaj Izraelit, duke e paraqitur hapjen si shprehje të angazhimit të Izraelit për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Hapja e ambasadës, ndodh në një moment kritik për diplomacinë izraelite. Një ditë më parë, Britania e Madhe ndaloi tregtinë me vendbanimet izraelite të paligjshme në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa Franca dhe Kanadaja njoftuan masa të ngjashme. /tesheshi

