RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Ndërpritet për herë të dytë seanca konstituive, vazhdon të dielën në orën 10:00

nderpritet-per-here-te-dyte-seanca-konstituive,-vazhdon-te-dielen-ne-oren-10:00

Për të dytën herë gjatë ditës së premte është ndërprerë vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Vazhdimi i seancës është caktuar për të dielën, në orën 10:00, ndërsa shkak për ndërprerjen e dytë ishte largimi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga salla.

LDK-ja kërkoi që fillimisht të zgjidhet nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, si partia e dytë parlamentare, para se të procedohet me kandidatin e LDK-së.

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se nuk është e drejtë që të kalohet te kandidati i partisë së tretë pa u zgjedhur paraprakisht nënkryetari nga partia e dytë.

“Bëjmë thirrje që të shterohen të gjitha mundësitë për diskutim. Nuk kemi të drejtë ta vazhdojmë seancën përderisa nënkryetari i partisë së dytë nuk është zgjedhur. Duhet të respektohet procedura. Kalimi te grupi i tretë nuk kemi të drejtë. Nuk marrim pjesë në votim, as nuk ju rekomandojmë ta hidhni në votim”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka këmbëngulur që të vazhdohet me propozimin e LDK-së, duke vlerësuar se me mospjesëmarrjen e saj, PDK-ja po heq dorë nga e drejta kushtetuese për të propozuar nënkryetarin e Kuvendit.

Kjo ishte hera e dytë gjatë së premtes që seanca konstituive u ndërpre. Në seancën e mëhershme, PDK-ja kishte lëshuar sallën pasi deputetët e LVV-së nuk e mbështetën kandidaten e saj për nënkryetare, Vlora Çitaku.

Kjo kishte ndodhur pavarësisht se deputetët e PDK-së e kishin votuar kandidatin e LVV-së, Ardian Gola, i cili u zgjodh nënkryetar i Kuvendit.

Tashmë, vazhdimi i seancës është caktuar për të dielën në orën 10:00, ku në rend dite mbetet zgjedhja e nënkryetarëve dhe përfundimi i procesit të konstituimit të Kuvendit.

Related posts

Hagë, Haxhi Shala del sot para Dhomave të Specializuara

admin

Palestinë: Më shumë se 3.000 nxënës të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

Muhamet Ramadani

Gucati: Gjithçka gati për protestën paqësore në Shkup në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së

admin