RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

OKB-ja shpreh shqetësim për marrjen nga Huthit të një kompleksi humanitar në Jemen

okb-ja-shpreh-shqetesim-per-marrjen-nga-huthit-te-nje-kompleksi-humanitar-ne-jemen

OKB-ja shprehu të premten shqetësim të madh për marrjen nga grupi Huthi në Jemen të një kompleksi të rëndësishëm humanitar dhe aseteve të tij në qytetin port të Mokhës, në Detin e Kuq, duke paralajmëruar se personeli dhe objektet humanitare duhet të mbrohen, raporton Anadolu.

“Kompleksi strehon personelin e agjencive të OKB-së që punojnë për të ofruar ndihmë humanitare për komunitetet e cenueshme në këtë zonë”, u tha gazetarëve zëvendëszëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq.

Haq tha se i gjithë personeli i OKB-së që punonte në kompleks ishte larguar para marrjes së tij dhe se ata janë “të sigurt dhe janë identifikuar”.

Ai theksoi se personeli, objektet dhe asetet humanitare “duhet të respektohen dhe mbrohen në çdo kohë”, ndërsa bëri thirrje për qasje të sigurt dhe të papenguar humanitare, në mënyrë që ndihma jetike të vazhdojë t’u dërgohet njerëzve në nevojë.

I pyetur për 73 pjesëtarët e stafit të OKB-së dhe organizatave joqeveritare të ndaluar në Jemen në mes të përshkallëzimit të vazhdueshëm, Haq u përgjigj: “Fatkeqësisht, nuk kam lajme pozitive për pjesëtarët e stafit tonë të OKB-së dhe organizatave joqeveritare që janë ndaluar”.

Ai shtoi se OKB-ja mbetet e shqetësuar për gjendjen e tyre dhe vazhdon të bëjë thirrje për lirimin e tyre.

Haq tha se Departamenti i Sigurisë i OKB-së po monitoron nga afër zhvillimet dhe do të vazhdojë të rishikojë qëndrimin dhe praninë e tij në Jemen, duke theksuar se siguria e personelit të OKB-së, përfshirë stafin kombëtar, mbetet “shqetësimi kryesor” i organizatës.

Ndërkohë, punonjësit humanitarë të OKB-së në terren raportojnë se civilët vazhdojnë të largohen nga zonat e luftimeve, ndërsa rreth 18.000 familje janë zhvendosur që nga fillimi i shtatorit, sipas Haq.

Related posts

Shqipëri, vazhdojnë protestat antiqeveritare

admin

​Serbia sërish tenton të ndërhyjë në zgjedhjet në Kosovë, kërkon vota për Listën Serbe

admin

Mbi 13,000 të vdekur në Gaza

Muhamet Ramadani