RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Policia përgënjeshtron dezinformatat për ndalimin e qytetarëve me flamuj të UÇK-së

policia-pergenjeshtron-dezinformatat-per-ndalimin-e-qytetareve-me-flamuj-te-uck-se

Policia e Kosovës bëri të ditur se ka angazhuar kapacitetet e saj për mbarëvajtjen e protestës së paralajmëruar për sonte në orën 21:00 në sheshin qendror të Prishtinës si dhe për menaxhimin e trafikut rrugor.

Sipas Policisë, pas protestave të qeta në kryeqytet, disa pjesëmarrës kanë vazhduar të qarkullojnë me automjete nëpër rrugët e Prishtinës, duke kryer vozitje të pakontrolluara dhe të rrezikshme.

Disa persona kanë dalë dhe kanë qëndruar në dritaret apo mbi veturat në lëvizje, duke rrezikuar veten dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik, përfshirë këmbësorët, pohoi Policia.

“Veprimet policore në terren kanë të bëjnë ekskluzivisht me parandalimin e ngasjes së rrezikshme e të pakontrolluar të disa automjeteve pas protestave”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia hodhi poshtë pretendimet e shpërndara në rrjetet sociale se qytetarët po ndalohen apo ndëshkohen për shkak të flamujve të UÇK-së.

“Policia e Republikës së Kosovës nuk ka ndaluar, ndëshkuar, e as ushtruar dhunë ndaj asnjë qytetari, për shkak të simboleve historike kombëtare apo simboleve të UÇK-së, por për shkak të shkeljeve ligjore”, thuhet në njoftim.

Policia bëri të ditur se angazhimet e saj kanë për qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve, mbarëvajtjen e protestës në mënyrë të qetë dhe të sigurt, menaxhimin e trafikut dhe parandalimin e vozitjeve të rrezikshme.

Related posts

Dogana nxjerr në shitje veturat e konfiskuara, kushtojnë nga 500 deri në 2800 euro

admin

“Na iku karriera”/ Saga e papërfunduar e Teatrit të Operës dhe Baletit në Kosovë

admin

Putin thotë se marrëdhëniet ruso-turke po ecin përpara falë vullnetit politik të Erdoğanit

admin