Zgjedhjet po afrohen dhe partia e saj ka rënë në sondazhe
Giorgia Meloni po rikthehet te temat identitare që kanë shoqëruar gjithë karrierën e saj politike, në një moment kur Italia po i afrohet zgjedhjeve të ardhshme.
Kryeministrja, e cila e nisi karrierën në krahun rinor të Lëvizjes Sociale Italiane (MSI), partisë postfashiste të themeluar pas Luftës së Dytë Botërore, tani drejton një forcë politike që është pasardhëse e asaj tradite politike.
Në këtë klimë, Meloni ka njoftuar një paketë masash për shkollat italiane që përfshin kufizimin me ligj të numrit të nxënësve të huaj në klasa, detyrimin për mësimin e italishtes për prindërit e disa nxënësve të huaj dhe ndalimin e burkës dhe hixhabit në shkolla.
Deklaratat u bënë në festivalin Fenix, aktivitet i organizatës rinore të Vëllezërve të Italisë. Meloni tha se nuk mund të quhet integrim një situatë ku nxënësit italianë bëhen pakicë në klasat e tyre.
Sipas saj, njerëzit që vijnë në Itali duhet të mësojnë gjuhën, të kuptojnë kulturën dhe të respektojnë rregullat e vendit. Më e drejtpërdrejta ishte deklarata për veshjet islame.
Meloni tha se në shkolla duhet të ndalohen burka dhe hixhabi, duke e lidhur këtë me barazinë mes burrave dhe grave dhe me kërkesën që fytyra të jetë e zbuluar.
Edhe kufizimi i nxënësve të huaj nuk është një ide e re e qeverisë. Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, ka kërkuar që kufiri prej 30 për qind, i parashikuar aktualisht përmes një udhëzimi administrativ, të marrë fuqi ligjore.
Argumenti i qeverisë është se përqendrimi i madh i nxënësve që nuk zotërojnë mirë italishten mund të vështirësojë procesin mësimor dhe integrimin.
Por kombinimi i këtyre masave e çon debatin përtej administrimit të shkollave. Emigracioni, feja, identiteti italian dhe mënyra e veshjes po rikthehen si tema qendrore të betejës politike.
Meloni e paraqet këtë politikë si mbrojtje të integrimit, të barazisë gjinore dhe të identitetit kombëtar. Por kritikët e saj e shohin si forcim të një qasjeje më përjashtuese ndaj emigracionit dhe kulturave të huaja.
Fakti që këto tema rikthehen me forcë në prag të ciklit të ardhshëm elektoral nuk është pa rëndësi politike. Për një kryeministre që e ndërtoi karrierën e saj nga skena e së djathtës postfashiste deri në drejtimin e qeverisë, emigracioni dhe identiteti mbeten fusha ku mund të flitet drejtpërdrejt me bazën e saj politike.
Në fund, debati nuk është vetëm për një hixhab apo për numrin e nxënësve të huaj në një klasë, por për pyetjen se çfarë Italie dëshiron të ndërtojë Meloni dhe sa larg është e gatshme të shkojë qeveria e saj në emër të integrimit, identitetit dhe “kulturës italiane”. tesheshi

