Presidenti i Kinës, Xi Jinping do të zhvillojë vizitë shtetërore në SHBA këtë javë, konfirmoi sot Pekini, duke thënë se udhëheqësit kinezë dhe amerikanë do të shkëmbejnë pikëpamje mbi paqen botërore në mes të luftës në Iran, transmeton Anadolu.
“Me ftesë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, presidenti Xi Jinping do të zhvillojë vizitë shtetërore në SHBA nga 23 deri më 25 shtator”, tha Ministria e Jashtme në një deklaratë.
Kjo do të jetë vizita e parë shtetërore e presidentit kinez Xi në SHBA që nga shtatori 2015, kur ai vizitoi Washingtonin me ftesë të presidentit të atëhershëm Barack Obama.
Më vonë, Xi u takua me Trumpin gjatë mandatit të tij të parë në 2017. Ai vizitoi SHBA-në në 2023 dhe u takua me presidentin e atëhershëm Joe Biden në margjinat e samitit të Liderëve të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor, por jo në nivelin e një vizite shtetërore.
Vizita e ardhshme midis të mërkurës dhe të premtes vjen pasi Trump bëri një vizitë shtetërore në Kinë në maj. “Shkëmbimi i vizitave nga të dy presidentët brenda një periudhe gjysmëvjeçare do të shënojë moment historik”, u tha gazetarëve në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Guo Jiakun.
“Presidenti Xi do të ketë shkëmbim të thellë pikëpamjesh me presidentin Trump mbi çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me lidhjet dypalëshe, paqen dhe zhvillimin botëror”, tha Guo.
Xi ka realizuar pesë vizita në SHBA që kur u bë president në vitin 2013.
“Diplomacia e kreut të shtetit luan rol të pazëvendësueshëm në ofrimin e udhëzimeve strategjike për marrëdhëniet Kinë-SHBA. Kina do të punojë me SHBA-në për të pasuruar dimensionet e marrëdhënies konstruktive Kinë-SHBA të stabilitetit strategjik, për të forcuar dialogun dhe bashkëpunimin dhe për të menaxhuar siç duhet dallimet si dhe për të kontribuar më tej në paqen, stabilitetin dhe prosperitetin botëror”, tha Guo.
Sipas raporteve të medias amerikane, Xi ka të ngjarë të pritet nga Trumpi në pistën e Bazës së Përbashkët Andrews, Maryland, ngjitur me Washingtonin. Presidenti kinez pritet të shoqërohet nga drejtues të lartë, përfshirë nga prodhuesi i automjeteve elektrike BYD dhe gjiganti i prodhimit inteligjent Xiaomi.

